Durrës, 22 gusht 2014 – Dy të rinj nga Rrashbulli janë arrestuar në flagrancë nga policia ndërsa po merrnin këstin e parë të një gjobe prej 2000 eurosh që I kishin vënë komshiut të tyre.

Prangosja e Ilirjan Toshit dhe Flamur Popoçit, përkatësisht 22 dhe 29 vjeç u realizua nga sektori i Krimeve të Rënda në Policinë e Durrësit.

Dy të arrestuarit kishin 4 ditë me rradhë që kanosnin komshiun e tyre, 22 vjeçarin F.R. që t’u jepte 2000 euro.

Pas kundërshtimeve të F.R. dy gjobëvënësit i kishin lënë afat ditën e sotme për të dorëzuar 1000 eurot e para, ndërkohë që në një afat tjetër do t’u dorëzohej diferenca e gjobës.

I ndodhur para një situate të tillë, 22 vjeçari, i dënuar më parë për vjedhje, u është drejtuar efektivëve të rendit për ndihmë.

Ai i ka vënë ata në dijeni për vendin dhe orën e dorëzimit të parave. Dhe pikërisht ditën e sotme, në momentin e dorëzimit të 1000 eurove, Ilirjan Toshi dhe Fatmir Popoçi kanë parë t’u vendosen prangat rreth pulseve të duarve.

Dy të prangosurit akuzohen për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, kryer në bashkëpunim”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/