Tiranë, 22 gusht 2014 – Deputeti demokrat Alban Zeneli akuzoi Kryeministrin Edi Rama, se pasi i ka siguruar pushtet dhe imunitet klientelës së tij me të shkuar kriminale, duke i emëruar në postet kycve të administratës e duke i bërë deri deputet, ka menduar që edhe financat e tyre të paligjshme të mos cenohen, por të legalizohen.
Zeneli tha se Shqipëria mund të jetë rasti unik në botë, që Kryeminsitri, ia beson pastrimin e parave, kryefinancierit të Partisë së Tij. Sipas deputetit demokrat kryefinancieri, ai që merr të lashtat nga klientela e Ramës, që siguron donacionet e partisë, tagrambledhësi personal i Ramës, drejton luftën ndaj pastrimit të parave në vend.
“Ky konflikt i pashembullt interesi, është edhe një shkelje e ligjit ditën për diell. Sipas ligjit, një drejtor i lartë në administratën publike, nuk mund të ketë bekgraund politik, aq më pak të ketë funksione partiake. Gent Gazheli është emëruar menjëherë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës në krye të pastrimit të parave. Ndërkohë që vazhdon të jetë edhe kryefinancier i Partisë Socialiste, të paktën deri në janar të këtij viti, dhe kjo kuptohet nga kjo shkresë që luftëtari i parave të pista i ka dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”,u shpreh Zeneli.
Në vijim ai shtoi se Partia Demokratike e denoncon këtë fakt të kthimit të shtetit dhe administratës në gjymtyrë të interesave klienteliste të Edi Ramës, qeverisë dhe Partisë Socialiste.
Zeneli nënvizoi më tej se me këtë shkelje të ligjit, dhe me këtë konflikt interesi, është e sigurtë se çdo donator i Edi Ramës, çdo klient i tij dhe i Partisë Socialiste, mund të flejë i qetë, pasi kryefinancieri do të kujdeset që paratë me burim kriminal të mos preken, madje të legalizohen.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





