Tiranë, 22 gusht 2014 – Sekretari Ekonomik në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi se kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, një nga gënjeshtrat e mëdhaja që ka thënë gjatë fushatës ka qenë që nuk do të lejonte të ndërtoheshin më shumë pallate në parkun e Tiranës.
“Kjo është një prej gënjeshtrave të tij. Gjithashtu Luli u ka thënë qytetarëve të Tiranës se do të ishte thjesht Kryebashkiak dhe s’do të merrej me politikë. Kjo ishte një tjetër gënjeshtër. Luli u ka thënë tiranasve se do të mbillte më shumë pemë, do të lejonte gjelbërimin dhe nuk do të jepte leje ndërtimore që do të shtonin betonizimin. Edhe kjo ishte një gënjeshtër tjetër e Lulit. Luli bën mirë që të vazhdojë vesin e ri që ka marrë të gënjeshtrës, me kryetarin e tij të vjetër të shkatërrojnë PD-në dhe mos të merret më me shkatërrimin e Tiranës sepse boll i ka bërë dëme këtij qyteti”,u shpreh Bushati.
Ai tha se kryebashkiaku ka harruar që në gjithë këto vite nuk ka bërë asnjë punë dhe është marrë vetëm me politikë, ndërsa shtoi se është marrë vetëm me lulëzimin e degëve të PD-së dhe jo me lulëzimin e qytetit të Tiranës.
Bushati kërkoi nga kreu i Bashkisë Tiranë, që të mbajë fjalën dhe të bëjë atë që ka thënë gjithmonë në fushatë se Tiranës i duhet një punëtor dhe jo një politikan, se i duhet një kryebashkiak dhe jo një kryetar partie që nuk mund të merret dot me Tiranën.
Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë, “Le të mbajë llafin sot Lulzim Basha, si burrë, e të bëjë aktin e fundit të qytetarisë që do të ishte dorëzimi i punës në Bashkinë e Tiranës. Të dorëhiqet nga kjo detyrë dhe t'i hapi rrugën qytetarëve të Tiranës që të kenë një njeri që i përkushtohet punës”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





