Durrës, 22 gusht 2014 – Policia e Durrësit prangosi rreth orës 16.00 të ditës së premte një nga tre autorët e një grabitje të ndodhur ditën e djeshme në Durrës.

Në pranga ka rënë shtetasi Marjan Gjoka, 24 vjeç, lindur e banues në Laç, i akuzuar më parë për një sërë veprash penale. Ndërkohë mësohet se janë identifikuar edhe dy bashkëpunëtorët e Gjokës dhe po punohet për arrestimin e tyre.

Sipas policisë së Durrësit, 24 vjeçari Marjan Gjoka në bashkëpunim me dy personat e tjerë i kanë kërkuar një ditë më parë taksistit 56 vjeçar V.Gj., nga Durrësi që t'i çonte deri në Fushë Krujë.

Të tre grabitësit janë nisur nga zona e plazhit së bashku me taksistin dhe në afërsi të fshatit Rrashbull, nën kërcënimin e një arme zjarri, i kanë marrë drejtimin e mjetit 56 vjeçarit.

Ata kanë vijuar rrugën drejt Fushë Krujës dhe në afërsi të këtij qyteti e kanë detyruar taksistin të hidhej nga mjeti.

Por grabitja e të rinjve nuk ka shkuar ashtu siç e kishin planifikuar pasi në fshatin Thumanë ata kanë përplasur dhe më pas braktisur automjetin e markës Benz, me targa DR 2459E.

Krahas punës për arrestimin e dy bashkëpunëtorëve të Gjokës, policia po punon për gjetjen e armës së zjarri me të cilën grabitësit kërcënuan taksistin 56 vjeçar.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/