Durrës, 22 gusht 2014 – Teuta do të udhëtojë në Vlorë për të luajtur në sfidën hapëse të sezonit të ri kundër Flamurtarit. Durrsakët janë përgatitur më së miri për këtë ndeshje dhe nukkanë boshllëqe pavarësisht largimit të minutës së fundit sic ishte Albi Dosti. Nga ana tjetër një tjetër sulmues dhe një njohje e vjetër e Teutës flitet se do të rikthehet në ekipin durrsak. Ai është sulmuesi i mirënjohur Vangjel Mile.

Burimet nga klubi nuk e konfirmojnë ende këtë gjë megjithatë flitet se Mile është pranë rikthimit tek Teuta pas disa sezonesh kur ai ishte sulmuesi kryesor i durrsakëve dhe pas largimit të Dostit afrimi i Miles do të ishte një përforcim shumë i ndjeshëm për durrsakët. Ndërkaq qindra tifozë durrsakë pritet të shkojnë të organizuar në Vlorë për të bërë tifo për Teutën.

Udhëtimi i tyre do të jetë falas pasi janë vënë në dispozicion autobuzë nga klubi durrsak dhe nisja e tyre do të bëhet të shtunën tek pallati i sportit Ramazan Njala në orën 17.00 ndërkohë që ndeshja do të luhet në orën 20.00.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/