Durrës, 22 gusht 2014 – 28 vjeçari Erald Zefi është arrestuar në flagrancë nga policia e Durrësit, pasi dyshohet se ky shtetas ka qëlluar me automatik në ajër në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte.
Polici është njoftuar nga banorët e zonës, të cilët janë trembur nga të shtënat me breshëri rreth orës 01.30 të mëngjesit.
Kur kanë mbërritur në vendngjarje, në fshatin Rrushkull të Shijakut, efektivët e rendit kanë gjetur një dorezë hekuri, ndërkohë që kallashi me të cilin u qëllua nuk është gjetur ende.
Në bazë të hetimeve të kryera dhe informacioneve të marra në rrugë operative, policia ka mundur të zbulojë se personi që kishte shtënë me armë zjarri ishte pikërisht 28 vjeçari Zefi.
Së bashku me Zefin është ndaluar dhe po ndiqet në gjendje të lirë shtetasi A.Z., 19 vjeç, banues në Rrushkull.
Të dy të rinjtë akuzohen për veprat penale “ Prishje e qetësisë publike”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta e kryer në bashkëpunim”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





