Tiranë, 22 gusht 2014 – Dhjetë ditë nga mbyllja e merkatos dhe vetëm dy ditë nga starti i kampionatit, 90% e klubeve të Superiores mund të thuhet se kanë kompletuar përbërjet. Me përjashtim të Vllaznisë, që nisi shumë vonë përgatitjet, në 9 ekipet e tjera nuk pritet ndonjë surprizë deri në fund të merkatos. Janë bërë plot 210 transferime, nga të cilat 108 janë afrime dhe 102 janë largime nga 10 klubet që marrin pjesë këtë sezon në Superiore. Skuadrat që kanë pësuar më shumë ndryshime janë Partizani dhe Teuta. Lëvizje të bujshme në hyrje ka bërë Flamurtari, Tirana, Partizani, Kukësi dhe Skënderbeu, por nuk qëndrojnë pas as skuadrat e tjera.
Skënderbeu – Ka largime “big” si Muzaka, Bici, Orelesi, Lilaj apo Gvozdenoviç, por klubi korçar ka kompensuar këto firo me emra të mirënjohur si Osmani, Vangjeli, Progni, Berisha dhe sulmuesi Sefa. “Basti” i presidentit Ardjan Takaj është mesfushori brazilian Markoni, vëllai i mbrojtësit Ademir. Korçarët kanë bërë edhe goditjen e fundit në sulm, pikërisht brazilianin Martins, nga i cili pritet të bëjë diferencën te kampionët. Korçarët treguan “dhëmbët” se janë sërish për titull që në përballjen me Flamurtarin, duke fituar Superkupën.
Kukësi – Te nënkampionët ka pasur gjithashtu shumë lëvizje. Goditja më e madhe është golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, Pero Pejiç, ndërsa qershia mbi tortë në merkaton e veriorëve janë afrimi i dy ish-lojtarëve të Flamurtarit, Erion Dushku dhe Hair Zeqiri. Një Kukës i kompletuar në çdo repart, por që tashmë mbetet për t’u parë se sa do të rivalizojë në kampionat. Presidenti Gjici kërkon titullin kampion pas dy sezonesh në vend të dytë. Trajneri Shaqiri ka marrë përsipër këtë sfidë.
Tirana – Një ekip i frikshëm. Kështu mund të cilësohen bardheblutë e Maganit. Curri, Bakaj dhe kapiteni Bulku duket sikur mjaftojnë, por merkatoja e Tiranës ka qenë e pandalshme. Janë afruar portieri Frashëri, mbrojtësi Idrizaj dhe dy afrikanët shumë premtues: Kagere e Olaki. Për sulmin bardheblutë i kanë besuar kroatit Bushiç, i cili sezonin e kaluar shkëlqeu me Vllazninë. Është larguar Ilion Lika dhe Gilberto Fortunat nga sezoni i kaluar, por te Tirana janë të bindur se mungesa e tyre nuk do të ndihet aspak. Drejtuesit duan titullin kampion.
Partizani – Klubi i kuq e nis me ndryshimin e trajnerit, duke vendosur Shpëtim Duron në krye, që e njeh mirë skuadrën. Largimet kanë qenë në masë, por ama afrimet edhe më bindëse. Emra si Batha, Vila, Cuculi, Fejzullahu, Mustafa, Fazliu e shumë të tjerë do t’i kishte zili çdo skuadër. Te “demat” mendojnë se ky është sezoni i duhur për të fituar titullin. Skuadra është kompletuar në çdo repart dhe tashmë ka një kapiten të ri: Nderim Nexhipi. Duro i beson shumë dyshes sulmuese Raçiç-Fazliu. Tre lojtarë të afruar së fundmi (Cuculi, Shabani e Fazliu) trajneri i ka pasur te Shkëndija e Tetovës gjatë sezonit të kaluar.
Flamurtari – Vlonjatët kanë bërë diferencën në merkaton e verës. Klubi ka investuar shumë, duke afruar sulmues kalibri si Gilberto e Gelashvili, por edhe fantazistin Vucaj, ndër më të mirët e kampionateve të fundit. Rikthimi i Ilion Likës dhe Muzakës e ka bërë edhe më të fortë skuadrën e Gjokës, ndërsa një goditje e bujshme mund të quhet edhe afrimi i lojtarit të Kombëtares së Kosovës, Shkodran Metaj. Nga ana tjetër, janë larguar dy shtylla të formacionit të sezonit të kaluar, si Dushku dhe Zeqiri. “Divorci” me këtë të fundit ishte tronditës, por drejtuesit e rinj të Flamurtarit kanë bërë gjithçka për të kompensuar çdo largim. Me këtë grup lojtarësh objektivi madhor është titulli.
Laçi – Skuadra kurbinase, ajo që ka tejkaluar të gjitha parashikimet në sezonet e fundit, ka bërë lëvizje të zgjuara. Presidenti Pashk Laska ka bindur lojtarë si Vujadinoviç, J.Sefa, Sheta etj., ndërsa goditja “big” është ajo e malazezit Cetkoviç, i cili është nipi i ish-futbollistit të famshëm, Mijatovi. Largimi më i madh nga skuadra ishte i kapitenit Vucaj.
Teuta – Largime masive, por një ekip i rinuar, ashtu siç kishte premtuar presidenti Edmond Hasanbelliu që në muajin qershor. Një Teutë e re dhe me një trajner që e njeh mirë si Hasan Lika është gati të surprizojë në këtë kampionat. Afrime të goditura cilësohen ato të kosovarit Shabani, shkodranit Bardulla dhe brazilianit Megahales, që fazën përgatitore e kreu te Partizani.
Vllaznia – Kuqeblutë janë skuadra e vetme që shpresojnë tek afrimi i disa lojtarëve në limitin e merkatos. Nga skuadra janë larguar lojtarë shumë të rëndësishëm, në një kohë që goditje për klubin ishte penalizimi nga UEFA me -3 pikë. Lojtarët e afruar deri më tani nuk japin shpresë për një Vllazni kompetitive.
Elbasani – Verdheblutë kanë bërë një merkato të kujdesshme, në një kohë që kanë ruajtur grupin e sezonit të kaluar. Emra të afirmuar si Çota e Malindi, si dhe rikthimi i Hyshmerit nuk janë pak për Elbasanin, që do të kërkojë të mbijetojë në Superiore.
Apolonia – Edhe fierakët e rikthyer në Superiore kanë ruajtur grupin, ndërsa kanë rikthyer kapitenin Gërxho dhe afruar sulmuesin lushnjar Canka. Mbeten për t’u parë dy serbët e afruar: Djordje Xhorxheviç dhe Marko Rajkoviç. Fierakët synojnë që të mos rrezikojnë rënien nga elita e futbollit shqiptar.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





