Tiranë, 22 gusht 2014 – Videoskandali i sekretarit të deputetit socialist të Sarandës përfundon në gjykatë. Tashmë jo vetëm me pamje, por me një rrëfim të plotë të denoncueses së Agron Canes, Elvira Gega. Në Gjykatën e Sarandës u zhvillua dje një seancë e sigurimit të provës, ku 40-vjeçarja ka treguar me gojë atë që ka ndodhur mes saj dhe sekretarit të zyrës së deputetit Koço Kokëdhima. Sipas procedurave ligjore, sigurimi i provës bëhet në rastet kur kallëzuesi mund të kërcënohet, mund të largohet nga vendi apo mund të ndryshojë dëshminë. Për dy orë e gjysmë, nëna e 4 fëmijëve, së cilës iu kërkua marrëdhënie seksuale bashkë me të bijën kundrejt një vendi pune, ka treguar në detaje momentin e kontaktit të parë me Canen si personi që do ta ndihmonte në shqetësimin e saj e deri në momentin e arrestimit të tij. Gega nuk ka ndryshuar asgjë nga dëshmia e mëparshme e dhënë në polici, si dhe çka tregohet dhe në videot e përgjimit të bisedave me 62-vjeçarin Cane. Ajo këmbënguli dhe në seancën e djeshme se Cane i ka kërkuar marrëdhënie asaj në të gjitha rastet kur ka shkuar ta takojë në zyrë e së fundi dhe për të bijën 14-vjeçare. Në fund të seancës, ku ndodhej veç prokurores dhe gjyqtares, edhe i pandehuri me avokatin e tij, Agron Cane ka thënë vetëm dy fjali: “Gjithçka është kurth. Është e sajuar”. Gazeta zbardh të plotë rrëfimin e Gegës në gjykatë.
“Unë me këtë shtetas jam njohur në zyrën e deputetit Koço Kokëdhima në Sarandë. I kam shtruar problemin tim familjar, i kërkoja punë. Më ka pyetur nga kam qenë dhe i kam thënë jam nga Navarica, vajza e Halim Gegës. Dhe më ka thënë që edhe unë nga Navarica jam. I kam thënë që nuk ju njoh dhe më është prezantuar, më ka thënë jam Agron Cane, i biri i Eminit. Unë i kam thënë që Emini ka pasur një djalë me emrin Agron Cane, por unë nuk e njoh. Më ka thënë do të shkruani kërkesën tuaj. Nuk mbaj mend kur është bërë takimi, por unë nga shkurti kam filluar punë te firma e K. L. në Kodër. Ka qenë në fund të vitit 2013 kur kam bërë kërkesë pune te zyra e deputetit Kokëdhima. Prita një kohë për të më lajmëruar se kisha lënë dhe një numër kontakti te zyra e deputetit Koço Kokëdhima. Kam shkuar dhe te zyra e punës në Sarandë. Nuk më kontaktoi askush. Në moment që unë mora vesh se Koço Kokëdhima kishte ardhur në Sarandë, unë u futa brenda në Bashki dhe i kërkova sërish punë. Ai më ka prezantuar me Agron Canen dhe i ka thënë që po të lë një porosi duke i thënë që kur të vij përsëri në Sarandë këtë grua e dua në punë. Ika në moment dhe mbas ca ditësh më merr në telefon Agron Cane për t’i vajtur në zyrë. Numrin tim e kishte marrë nga fleta e kërkesës që kisha bërë për punë. Shkova në zyrë dhe më thotë që kemi biseduar me një privat për të filluar punë. Të nesërmen ka qenë e diel që kemi shkuar te K. L. Biseduam për punën që do më jepte, për mirëmbajtjen e ambienteve jashtë shtëpisë, bahçen dhe kopshtin. Unë fillova punë, por ishte e rëndë sepse rrija gjithë kohës e kërrusur dhe mbaja pesha, edhe pse merrja 180 mijë lekë dhe pa sigurime. Kam shkuar te zyra e Agron Canes 1 muaj pasi e kisha marrë në telefon e i thashë që këtë punë vetëm një burrë e bën. Ai më tha që të kthehesha prapë se do fliste me pronarin.
Pas disa kohësh i shkova prapë në zyrë dhe i thashë që ajo punë nuk është për mua. Më thotë ulu qetësohu, do ta rregullojmë këtë punë, por ti vazhdo njëherë atje ku je se do ta vazhdoj unë këtë punë. Dhe më ka thënë: “Ju e keni trupin të bukur”. Këto në zyrën e deputetit gjithmonë dhe i kam thënë do bëj sikur nuk e kam dëgjuar këtë muhabet se kam nevojë për punë. Pas një farë kohe i shkoj prapë në zyrë dhe i them çfarë keni bërë. Në atë kohë më thotë që ju po të lidheni me mua, kam dëshirë të kem një lidhje me ty, dhe do të rregullohet çdo gjë, por ki pak durim. Më tha: “Unë dua të bëj seks me ty”. Prapë kam ikur nga ajo zyrë sepse mendova se unë nuk do fitoja më asgjë.
/gazeta "Panorama"/





