Tiranë, 22 gusht 2014 – Të gjithë planet vendore të miratuara deri më tani do të pezullohen, deri pas zgjedhjeve të 2015-ës. Kështu deklaroi Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të territorit ku deklaroi se  ky Këshill do te pezulloje dhëniet e lejeve të reja zhvillimore nga autoritetet vendore deri pas zgjedhjeve të 2015. Vendimi do të miratohet sot nga Këshilli Kombëtar i Territorit i cili është mbledhur sot paradite.

Kryeministri akuzoi vendoret për dhënie lejesh barbare që kanë shkatërruar vendin. Duke kujtuar se pasuria me e madhe e vendit është bukuria, ai ka premtuar ndalimin e çdo spekulimi me lejet. 

“Ky është një vendim qe do te merrej edhe pa ndarjen e re administrative ne kushtet kur eksperienca e tregon që interesi i fazës së fundit të mandatit ka sjellë plage shumë të mëdha, kemi raste flagrante të lejeve të dhëna para e gjate fushatës nga autoritete vendore te papërgjegjshme. Mjafton të shohim vijën e bregdetit e të bëjmë përputhje të shëmtive që shohim për të kuptuar se pjesa më e madhe e shëmtimit ka ardhur si rezultat i dorëlëshimit të periudhës para e gjatë zgjedhore. Pezullim lejeve të reja zhvillimore dhe planet e detajuara vendore deri ne konstituimin e organeve përfaqësuese në zgjedhjet e vitit 2015″- bëri me dije Rama gjatë fjalës së tij. 

Kryeministri tha se vendorët “do të japin leje për raste përjashtimore dhe në funksion të interesit publik kombëtar dhe interesit për të zhvilluar në këtë vend veprimtari prodhuese jo për të uzurpuar çfarë ka mbetur nëpër qytetet e bëra copë e cikë për të ngritur palate, pallate, pallate por për t’i hapur rrugë zhvillimit që ka të bëjë drejtëpërdrejtë me turizimin, industrinë, bujqësinë dhe krijimit të vendeve të punës dhe jo me rritjen e një stoku të apartamenteve që edhe sot janë të pashitura”.

Ndaj sipas tij, nisma që do ndërmarrë qeveria, sëbashku me Këshillin Kombëtar të Territorit është procesi i frenimit të këtij fenomeni, ku një efekt pozitiv do sjell ndarja e re administrative. 

“Një fenomen dramatik ka shoqëruar Shqipërinë në gjithë këto vite, që është fenomeni i shkatërrimit të burimeve tona të burimeve strategjike, që janë territori dhe gjithë pasuritë natyrore. Fokusimi nga njëra anë do jetë tek pjesa që ka të bëjë me frenimin e inercisë që ka kapur këto vite, me vendimmarrjen e njësive vendore, të cilat janë përgjegjëse për këtë shkatërrim. Nga ana tjetër, hapjen e disa proceseve të reja brenda procesit të madh të ripërtëritjes, duke ndërhyrë në një rëndësi për zhvillimit e vendit tonë. Një vend është ai që cilësohet si vendim për harmonizimin instrumenteve vendore, si pasojë e ndarjes administrative.”-tha Rama. 

Kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur për ti hapur rrugën me cdo mjet demokratik një modeli të ri ekonomik e social. 

"Do veprojmë me të njëjtën strategji që janë transformuar vende që kanë mbetur në mëshirë të fatit”. 

Kreu i qeverisë dha garanci se cdo abuzues i territorit, pa dallim do të ndëshkohet nga ligji. 

“Do ndjekim këmba-këmbës cdo abuzues me territorin, qoftë ky individ apo subjekt që pa leje ndërtimi operon duke bërë kontributin masakër, qoftë ky abuzues që ka bërë gati leje ndërtimi që nuk zbaton asnjë ligj dhe asnjë normë jetike dhe ska dyshim që kushdo që mendon se duke vënë më tutje tulla duke i shpëtuar ndëshkimit dhe shembjes së veprës penale do përballet jo vetëm me fadromat e inspektoratit por dhe me policinë”. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/