Greqi, 21 gusht 2014 –  Një familje shqiptare është aksidentuar në tokën greke dhe për pasojë ka mbetur i vdekur kryefamiljari.

Ngjarja ndodhi sot në kilometrin e 140 të autostradës Antirrio – Janina, pranë qytetit të Artës, kur një makinë me të cilën udhëtonte familja shqiptare, e përbërë nga katër anëtarë, u përplas me një autobus.

Sipas medieve greke, nga aksidenti gjeti vdekjen drejtuesi 44-vjeçar i makinës, ndërsa u plagosën rëndë gruaja e tij dhe dy fëmijë 17 dhe 14 vjeç.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe shtatë pasagjerë të autobusit.

Të plagosurit aktualisht ndodhen në spitalin e Artës, ndërsa nuk bëhen të ditur identitetet e të aksidentuarve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/