Durrës, 21 gusht 2014  – Një e moshuar i ka dhënë fund jetës për të shpëtuar nga dhimbjet e sëmundjeve nga të cilat vuante.

71 vjeçarja Z.H., nga fshati Kuçok, në Manzë ka vendosur t’i japë fund jetës duke konsumuar fostoksinë.

Ajo u gjet dje në gjendje të rëndë nga pastruesja e banesës së saj.

Megjithëse u transportua me urgjencë drejt spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, e moshuara nuk mundi të mbijetonte por humbi jetën gjatë rrugës.

Bashkëshorti i 71-vjeçares ka deklaruar për policinë se gruaja e tij vuante nga disa sëmundje, si diabeti, dhimbjet e kokës, tensioni etj.

Policia dyshon se e moshuara i ka dhënë fund jetës për të shpëtuar nga vuajtjet që i shkaktonin sëmundjet.

Një rast i ngjashëm u regjistrua në Durrës pak ditë më parë.

Një i moshuar rreth të 90-ve u hodh nga kati i 6-të i pallatit ku jetonte duke i dhënë kështu fund jetës. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/