Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 4 gusht 2014– Partia Socialiste në Bashkinë e ardhshme të Durrësit nuk ka asgjë të re. Ajo i ngjan një orkestre sinfonike, që pret leje nga shkopi i dirigjentit (Dako), që të fillojë të luajë “sinfoninë” e zgjedhjeve lokale. Ajo duket e sigurtë në vetvete, e komanduar deri në detaje nga baketa (shkopi) e dirigjentit, e bindur për fitore, e siguruar për këtë edhe nga pasja në dorë e pushtetit qëndror.
PD-ja, pasi zgjodhi në mënyrë statutore kryetarin e ri Osman Stafa dhe kryesinë, ka përpara pjesën më të vështirë, atë të plotësimit të strukturave drejtuese. Nëse ky plotësim do të bëhet në mënyrë demokratike, me frymë kompromisi, mirëkuptimi e me zgjuarsi ka një mundësi të artë, që PD-ja durrsake të kompaktësohet për të hyrë në betejën elektorale të vitit 2015 si shkëmb monolit, jo si një grumbull me zall lumi.
Nga burime të mirëinformuara pranë PD-së vendore mësojmë se për sekretar të degës së PD-së Durrës janë dy kandidatura, që përfaqësojnë dy fraksionet apo më mirë të themi dy grupime brenda kësaj partie. Këto dy grupime janë ato që mbështesnin respektivisht dy kandidatët në zgjedhjet e fundit në PD, Durrës; Osman Stafën dhe Ardian Mukën.
Grupimi i zotit Stafa ka për kandidaturë për sekretar Arqile Gorenë, njeri me përvojë në politikë, menaxher relativisht i sukseshëm i pushtetit lokal, i ndërmarrjeve lokale dhe kombëtare publike si edhe i biznesit privat si psh ish televizionit lokal Adriatik (televizioni me dy peshq në sigël, siç e njohin durrsakët).
Gorea ka edhe kapitalet e nevojshme për të mbështetur PD-në financiarisht në fushatën e ardhshme zgjedhore. Ai ka simpatizantët e tij në anëtarësinë dhe strukturat e PD-së, ashtu siç ka dhe kundërshtarët e tij po në këto struktura.
Në fushatën e ardhshme z. Gorea mund të japë kontribut të posaçëm edhe në fushën e propagandës elektorale, sepse e ka treguar veten, që është i aftë ta bëjë këtë. Ai, disa herë, duke imituar manjatin e mediave në Shqipëri, Aleksandër Frangaj ka marrë pjesë në debatet televizive me gazetarë lokalë në televizionin AdriaNet.
Madje Gorea, për shkak të influencës që ka tek “pronari” i televizionit AdriaNet, arrin t’i imponojë stafit të televizionit dhe vijën e sjelljes d.m.th. vijën editoriale. Në zgjedhjet e ardhshme ky televizion, duke qenë dhe i vetmi lokal në Durrës normalisht, që do të shërbejë si një tribunë e mirë elektorale për fushatën e PD-së.
Pika e dobët e kandidatit Gorea është sjellja me njerëzit poshtë tij, në mënyrë brutale, me kapadaillëk dhe me një fjalor vulgar, si edhe të qenit vulnerabël, lehtësisht i goditshëm nga LSI-ja.
Gorea është me fat, sepse djaloshi i LSI-së që e zëvendësoi e ka mendjen të bëjë para, jo të hapë letrat e pararendësit, por gjithsesi në një moment oportun këto letra mund të përdoren sipas përvojës së Sigurimit d.m.th. si material detyrues. Durrsakët me siguri i kanë harruar pasaportat e shtrenjta 15 000 lekëshe për 72 orë të vitit 2010-2011, të shpikura më së paku nga dyshja Gorea-Teliti, si edhe rradhët dhe zëniet me grushta në sportelet e Postës Shqiptare për të blerë kuponat e aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti. Mbetet për t’u parë nëse aleatët euro-atlantikë e kanë harruar pajisjen me këto pasaporta biometrike të elementëve kriminalë, madje edhe terroristëve të huaj apo jo.
Grupimi pranë kandidatit Muka ka si kandidaturë të vetën për sekretar të degës së PD-së Durrës z. Seit Kërtusha, që ka një përvojë të gjerë në pushtetin lokal si Drejtor i Drejtorisë së Prefektuarave në Ministrinë e Brendshme apo si Kryetar i Këshillit të Qarkut Durrës. Z. Kërtusha ka përvojë edhe si menaxher biznesi privat dhe ndërmarrjeje publike (APD Durrës).
Aset tjetër i z. Kërtusha është mos përfshirja e tij në serialin e vjedhjeve dhe abuzimeve për të cilat u dalluan një pjesë e pushtetarëve lokalë dhe drejtorëve të PD-së.
Seit Kërtusha mund të tërheqë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm vota të socialistëve të zhgënjyer dhe të margjinalizuar e përbuzur nga aleati-lubi, LSI-ja. Vetë Kërtusha, në përmbushje të detyrave zyrtare që ka kryer, është përplasur me figura të qenësishme të LSI-së.
Genc Alizoti, drejtori aktual i Hekurudhës, ndër të parët që pushoi nga puna, ishte i biri i Kërtushës. Kujtojmë që vetë Kërtusha u soll si xhentëllmen me Alizotin, kur e zëvendësoi si Kryetar i Këshillit të Qarkut. Ai nuk ia hapi letrat Alizotit, veçanërisht ato të ndarjes së tokave në komunat në bregdet.
Qënia në disa raste tepër i butë mund të konsiderohet si një dobësi e Kërtushës. Vetë Kërtusha nga shumë socialistë shihet jo thjesht si PD-ist, por më shumë si anti LSI-ist dhe si njeri i ekuilibruar, i pjekur e qytetar .
Nëse ai do të jetë sekretari i ardhshëm i PD-së, do të mbetet për të parë, nëse administratori i mirë Kërtusha do të jetë njëkohësisht edhe një luftëtar i guximshëm në betejën elektorale të vitit të ardhshëm. Gjithsesi mënyra si do kompozohet udhëheqësia e PD-së durrsake varet shumë nga mënyra si do të sillet politikisht kryetari i ri Osman Stafa.
Për të shmangur qejfmbetjet dhe një përçarje të PD-së, përçarje që do rezultonte vdekjeprurëse për selinë blu në zgjedhjet vendore pasi do t’i siguronte fitoren Vangjush Dakos, po mendohen variante organizimi ad-hoc (të posaçme). Po mendohet të kopjohet përvoja e Dakos me PS-në, që prej vitesh ka aplikuar ndarjen; PS qyteti dhe PS rrethi.
Kështu edhe PD-ja durrsake po mendon seriozisht për një variant me dy kryetarë, një për qytetin dhe një për zonat rurale. Madje, madje për të siguruar një kompromis të arsyeshëm midis dy grupimeve dhe për të pasur kompaktësim të PD-së në zgjedhjet e vitit 2015 po mendohet edhe lënia e gjysmës së sekretariateve (departamenteve të vjetra) në dispozicion të simpatizantëve të ish kandidatit për kryetar Ardian Muka. Ende PD-ja nuk e ka bërë publike strukturën e re organizative, kështu që mbetet për t’u parë sesi PD-ja do të hyjë në betejën elektorale të vitit 2015.
Fitorja e papritur apo humbja spektakolare e PD-së do të jetë rrjedhojë e shumë faktorëve, por një gjë është e sigurtë, nëse PD-ja hyn e përçarë në zgjedhje, humbja është e garantuar paraprakisht.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





