Tiranë, 3 gusht 2014  – Gazeta “Panorama” Kryeministri Edi Rama gjatë seancës së fundit të sesionit parlamentar nuk ka votuar një prej projektligjeve më të rëndësishme të trumbetuar nga qeveria dhe nga ai vetë, nismën për Policinë e Shtetit. 

Ky fakt konfirmohet dhe nga skeda e votimit elektronik i regjistruar në Kuvend. Në faksimilen e siguruar nga “Panorama” vihet re se emri i Kryeministrit është listuar në kategorinë e deputetëve, të cilët kanë qenë prezent në sallën e seancave plenare, por nuk kanë votuar. Karta e tij ka qenë e vendosur në folenë e votimit, por ky i fundit nuk e ka shtypur atë, ashtu siç veproi në shenjë proteste kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. 

Ky i fundit gjatë seancës së 31 korrikut nuk votoi asnjë nga nismat e qeverisë, por në fund shprehu kundërshtinë me votë vetëm për reformën territoriale. Në të njëjtën listë janë dhe dy deputetët e Partisë Socialiste, që ashtu si Rama nuk kanë votuar projektligjin e Saimir Tahirit. Tom Doshi e ka shfaqur publikisht kundërshtinë ndaj projektligjit të Policisë së Shtetit, duke thënë se “emërimet në Polici janë bërë politike dhe se ndër efektivët e Policisë nuk ka drejtues nga Veriu, por të gjithë janë nga Tepelena”. Doshi këtë qëndrim nuk e fshehu edhe në Kuvend, duke mos votuar nismën “Tahiri” për Policinë. 

/gazeta "Panorama"/