Itali, 3 gusht 2014 – Shkodran Mustafi sapo është kthyer në Boliasko (qendra stërvitore e Sampdorias). Mbrojtësi kampion bote ka vizituar shokët e skuadrës blukaltër. Megjithatë, e ardhmja e futbollistit gjerman me origjinë shqiptare duket larg Gjenovës. Sipas shtypit italian, në orët e fundit, Valencia ka bërë një hap përpara për lojtarin nga Gostivari, me një ofertë që arrin deri në 6 milionë euro. Për lojtarin janë interesuar edhe klube të tjera të mëdha, që nga Juventusi e deri te Volfsbugu, por Mustafi ka deklaruar se kërkon të bëjë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tij, ndaj mendon të vendosë pa u nxituar.
Nga ana tjetër, aktivizimi i tij titullar me Gjermaninë në Kupën e Botës, i ka rritur shumë kuotat. 22-vjeçari nga Gostivari, i cili u bë shqiptari i parë në histori që fiton Kupën e Botës, tashmë kushton 15 milionë euro. Presidenti i Sampdorias, Masimo Ferrero, e konsideron pjesë të projektit të skuadrës tij, por nuk do të hezitonte për ta shitur nëse i vjen oferta e duhur.
Numri 1 i klubit gjenovez është shprehur se për 15 milionë euro është gati ta shesë Mustafin, pasi me këtë shumë mund të blejë 10 futbollistë të tjerë, që shumë shpejt mund të arrijnë nivelin e kampionit të botës. Mustafi është formuar në Akademinë e Hamburgut në Gjermani, ndërsa në vitin 2009, kartoni i tij u ble nga Everton. Në 2012-n, pasi nuk gjeti hapësira në formacionin e parë të klubit anglez, u transferua te Sampdoria.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





