3 gusht 2014 – Emiljano Vila mund të rikthehet në Kategorinë Superiore. Mesfushori kuqezi që gjatë tre sezoneve të fundit është aktivizuar ne Greqi me Pas Janinën, ka marrë ofertë nga Kukësi, që sipas mediave sportive shqiptare është gati t’i ofrojë një pagë prej 80 mijë Eurosh në sezon. Një shifër kjo mjaft tunduese për lojtarin, që gjithsesi ka primare një tjetër eksperiencë jashtë Shqipërisë, pasi nuk dëshiron të humbasë kuotat në kombëtare.

Pas Janina mësohet se i ka ofruar rinovimin e kontratës me ulje të ndjeshme të rrogës, por Vila nuk ka pranuar, ndaj ka nisur të shqyrtojë të gjitha ofertat që vijnë nga jashtë por edhe nga kampionati shqiptar. Kukësi pasi siguroi për dy vite radhazi në Superiore vendin e dytë, tashmë synon titullin kampion dhe Presidenti Safet Gjici e di mirë që një objektiv të tillë mund ta arrijë vetëm në afron lojtarë që bëjnë diferencën. Pas nënshkrimit me Pero Pejic dhe Hair Zeqirin, numri një i klubit verilindor është gati të bëjë një tjetër çmenduri për të bërë ëndrrën realitet.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/