Nga Gjergj Thanasi
Durrës, 3 gusht 2014– Pasi shqyrtuam me kujdes raportin e forcave në Bashkinë e vjetër Durrës (lexoni – http://www.durreslajm.com/politike/dako-p%C3%ABrs%C3%ABri-kryebashkiak-i-super-bashkis%C3%AB-durr%C3%ABs), do të trajtojmë po këtë raport forcash në pjesën rurale të kësaj superbashkie. Gjatë këtij skanimi të elektoratit do të japim edhe opsionet tona, nëse PD-ja atë, që e ka të humbur në Durrësin qytet, mund ta fitojë në ish bashkitë dhe komunat, që tashmë janë pjesë e superbashkisë.
Kuptohet, që sado të përpiqet PD-ja të rikuperojë vota në Durrës, me një logjikë normale e ka të pamundur të kthejë në fitore një humbje me disavantazh prej tre mijë e kusur votash. Dako në Durrës qytet është thjesht i pamposhtëm. Nëse PD-ja do thyerje të “monopolist” Dako në pushtetin lokal në qytetin e Durrësit, i duhet një mrekulli prokurorie, si ajo që e përzuri Gjikën e Vlorës nga skena e politikës vendore.
Në mungesë të mrekullisë, PD-ja ka vetëm një shans të mundë Vangjush Dakon. Ajo duhet të zbatojë strategjinë e Mao Ce Dun-it: Fshati të rrethojë qytetin. Me shumë punë, djersë, dinakëri e para ka mundësi, që PD-ja të thithë nga rezervuari i votave rurale apo thuajse rurale një numër të mjaftueshme votash për ta mundur Dakon. Ky është një shans teorik, që për t’u kthyer në realitet, do ato investime, që sapo përmendëm më sipër. Kjo është edhe sfida e kryetarit të ri të PD-së z. Osman Stafa: Ta mundë Dakon atje ku ka një mundësi teorike fitoreje : NË FSHAT!
Le t’i shqyrtojmë një e nga një ish komunat dhe bashkitë, që do jenë terreni i betejës së ardhshme elektorale.
Ish komuna Rrashbull
Në zgjedhjet vendore të vitit 2011 PS-ja arriti sukses se ngushtoi dukshëm greminën, që e ndante nga PD-ja dhe nga kandidati Hysen Gashi, dora e fortë e PD-së, që për arsye taktike hyri në zgjedhje si përfaqësues i LSI-së. Kandidati Shkëlqim Troplini thjesht shkëlqeu në sajë të integritetit moral personal dhe përkushtimit duke marrë 3 859 vota shumë më tepër se PS-ja si parti politike.
Në zgjedhjet e vitit 2013, PD-ja mori vetëm 3827 vota, ndërsa Gashi 2 vite më parë kishte marrë 4817 vota. Në zgjedhjet politike pati rrjedhje të votave të PD-së drejt Frymës së Re Demokratike, 222 vota. Rrjedhje të votës pragmatiste pati edhe drejt LSI-së dhe premtimit të saj për punësime në sektorin shtetëror.
PS-ja pati një ngritje të vrullshme në nivelin e 4 068 votave duke ia kaluar për herë të parë PD-së, e cila ishte në avantazh në këtë komunë madje edhe në vitin 1997. LSI-ja tashmë aleate e PS-së mori jo pak vota, plot 664 . PD-ja e pagoi me hemoragji votash qeverisjen e dobët dhe arrogancën ndaj njerëzve të saj në këtë zonë. Në këto zgjedhje politike përsëri u dallua për punë të mirë e me gjithë zemër kandidati për deputet i PS-së Shkëlqim Troplini. Ky trend nëse nuk korigjohet urgjentisht nga PD-ja e çon këtë parti thuajse në humbje të sigurtë përballë Vangjush Dakos.
PD-së i duhet realisht shumë punë, nëse do të ketë një shans sado të vogël për fitore në këtë ish-komunë. Së pari duhet të sigurojë besnikërinë e votës çame, që në zgjedhjet e 2013 ishte në nivelin e 401 votave, jo pak. I duhet të sigurojë besnikërinë e votave personale, që ka dora e fortë e PD-së në këtë komunë, z. Hysen Gashi.
Taktikisht kryetari i ri i PD-së vendore Stafa bëri një veprim shumë me mend duke marrë në mbrojtje të kryekomunarit Gashi në telashet, që ju krijuan me gjyqësorin. Një akaparim i votave personale të Gashit është një fillim i mirë, që PD-ja të ruajë avantazhin e vitit 2011 dhe të korigjojë trendin negativ të vitit 2013. Tërheqja e votave të partive aleate, që shkojnë nga 5 deri në 40 vota (përveç partisë së camëve) mund të duket si diçka e vogël, por kur je në ditë të hallit edhe një grusht votash mund të bëjë diferencën. Fjala vjen Teliti humbi në vitin 2007 për një grusht votash përballë Dakos apo jo?!
Ndoshta mund të peshkohen vota edhe nga të pakënaqurit për ndarjen e “tortës rilindase”, por, në këtë kontekst, në dëm të PD-së shkon fakti, që përjashtimisht z. Troplini “magneti” i votave për të majtën në këtë komunë u respektua nga hierarkia e PS-së pas fitores së 2013, jo siç ndodhi me shumicën e militantëve të vijës së parë të frontit mavi. PD-ja duhet të jetë shumë e vëmendshme drejt plotësimit të kërkesave të vogla të njerëzve influentë të zonës, që mos ketë asnjë firo vote. Përfaqësimi në superkëshillin bashkiak të banorëve të zonës me njerëz dinjitozë, influentë dhe me karakter të fortë është një tjetër mundësi për të grumbulluar vota. Mentaliteti, që Rrashbullin ta përfaqësojë në Këshillin e ardhshëm Bashkiak burokracia e PD-së në Durrës, do të çojë me patjetër në hemoragji votash.
Theksojmë që për këtë ish komunë, por edhe për tërë zonën rurale e gati rurale, që do përbëjë superbashkinë Durrës qënia e Osman Stafës kryetar është me të vërtetë aset për PD-në. Ai e njeh shumë më mirë se Vangjush Dako problematikën e zonës, mentalitetin e njerëzve, lidhjet e tyre farefisnore, miqësore, krushqitë apo dhe mëritë e armiqësitë e vogla tipike këto për fshatin shqiptar.
Dako në këtë drejtim i duhet të mbështetet në tërë zonën rurale në strukturat vendore të PS-së, që nuk janë respektuar si duhet pas fitores së 2013-tës. Dako po ashtu i duhet të mbështetet tek biznesmenë durrsakë, kryesisht në fushën e ndërtimit, që janë nga kjo zonë apo kanë influencë elektorale në zonë. Në esencë, z. Stafa është në ambientin e vet, në shtëpinë e vet, ndrësa kryebashkiaku Dako është si ajo skuadra e futbollit, që luan në fushë të huaj. Thjesht ky fakt tregon se avantazhi i votave të PS-së në vitin 2013 jo detyrimisht çon në fitore të sigurtë në superbashkinë e Durrësit në vitin 2015.
PS-ja përfiton nga një rrjedhje votash (varet sa do jetë kjo hemoragji) për shkak të goditjes së gjyqësorit ndaj z. Gashi, krahut të hekurt të PD-së në komunë. PS-ja po ashtu përfiton, se është e sigurtë që z. Troplini do punojë me mish e me shpirt për të çuar në dobi të së majtës edhe votën e fundit në këtë zonë. Problem mbetet besnikëria e votës së LSI-së për kandidatin Dako, që gjithsesi mund të kompensohet nga thithja me çmim të arsyeshëm e votës çame, e cila ka një peshë jo të vogël në Rrashbull. Zotërimi i pushtetit qendror i mundëson PS-së bërjen e qokave të vogla, të cilat përkthehen në vota të sigurta në zonat rurale, ku votohet ende si të urdhërojë i pari i fisit.
Si përfundim mund të themi, që PD-ja, nëse dëshiron të fitojë superbashkinë Durrës duhet me patjetër të ruajë numrin e votave, që mori Hysen Gashi në vitin 2011 dhe të stopojë trendin negativ të hemoragjisë së votave, që përjetoi në këtë komunë në vitin 2013. Kjo nuk mund të bëhet me ish drejtorë, që urrehen nga elektorati apo me deputetë të parashutuar, të cilëve edhe ato vota, që morën në 2013-tën, ua mblodhi për sadaka kryekomunari Gashi. Me punë, me mend, me modesti dhe me ndarje reale të tortës së pushtetit vendor, PD-ja ka shumë mundësi të paktën të ruajë avantazhin e vitit 2011. PS-ja mjafton që të ruajë avantazhin e vitit 2013 apo të ketë një rënie të lehtë të këtij avantazhi për ta kurorëzuar Dakon superkryebashkiak të Durrësit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





