Tirane 02 Gusht 2014 – Bankierët i hëngrën kursimet e Çufos. Kështu e ka komentuar gazetari, Ylli Dylgjeri, supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook”, Dylgjeri ironizon sistemin bankar dhe sigurinë e tij për të ruajtur paratë e shtetit shqiptar. 

“CUFO: Bankieret me hëngrën edhe mua me gjithë bebe…”-citohet në mesazhin e Ylli Dylgjerit, i cili ka postuar dhe një foto të një derrkuci, së bashku me të vegjlit e tij. Tashmë, në rrjetet sociale, supervjedhja e shumës prej 713 milionë USD në Bankën e Shqipërisë është bërë objekt diskutimet e debatesh, madje nuk mungon ironia dhe sarkazma. Të gjithë padyshim kemi dëgjuar për historinë e kursimit të Çufos, metodë e përdorur gjerësisht për të mbledhur mënjanë disa të holla. 

Prej vitesh, Banka e Shqipërisë u angazhua në edukimin financiar të publikut nëpërmjet aktiviteteve të shumta, publikimit të broshurave edukative, si dhe modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” dhe paketës mësimore “1, 2, 3 … derrkuci Çufo mëson të kursejë”. Madje vetë Guvernatori Ardian Fullani ka lobuar që duke nisur nga fëmijët, të mësohet kultura e kursimit, metoda e njohur ndryshe si 'kursimet e Çufos'. Kjo metodë kursimi, sipas ngjarjeve të fundit duket se nuk ka qenë dhe aq efikase. 

“Cufo dhe Tipi në kërkim të verdhushkave”, personazhi më i njohur dhe i dashur për fëmijët e viteve ‘80-‘90. Është derrkuci Cufo aq i lezetshëm dhe trazovaç, i cili me miqtë e tij, Bubin Kaçurrel dhe Arushin Tipi argëtoi breza të tërë fëmijësh, të cilët i bënte aq shumë të qeshnin me ndodhitë dhe aventurat e tij. 

/Ballkanweb/