· Ndodh shumë shpesh tek bebet (në 50 për qind të të porsalindurve)
DURRËS, 2 gusht 2014 – Po bëhet dukuri serioze shfaqja e verdhëzës në foshnjat, gjë që duhet të shqetësojë nënat e reja, thonë mjekët e klinikës së neonatologjisë në spitalin rajonal publik të Durrësit, që kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi.
Verdhëza është lëndë e dëmshme, kur rritet mbi nivelet e lejuara dhe se trajtohet shumë mirë po u kap në kohë; në të kundërt, mostrajtimi për një kohë të gjatë, dëmton trurin e bebes.
Një nënë duhet të shqetësohet kur i porsalinduri paraqet këto shenja: duket shumë i verdhë (ose ngjyrë portokalli); është i plogësht, fle gjatë; nuk pi sasinë e duhur të qumështit; urinim i pakët (më pak se 4-5 herë në ditë); kur i verdhi i kalon në shputat e duarve dhe në këmbë.
Në të tilla raste nënat e reja duhet të kontaktojnë me mjekun specialist, për një trajtim më të specializuar të foshnjës.
Info
Verdhëza ose ikteri fiziologjik i fëmijës ndodh shumë shpesh tek i porsalinduri (në 50 për qind të të porsalindurve).
Tek i porsalinduri, organet ende nuk kanë arritur pjekurinë e tyre të plotë, prandaj dhe nuk funksionojnë me maksimumin e tyre.
Në lindje, për shkak të disa cilësive të rruazave të kuqe, ato shkatërrohen me shumicë.
Nga shkatërrimi i tyre, prodhohet një lëndë që quhet bilirubinë.
Bilirubina e prodhuar në këtë mënyrë nuk arrin të përpunohet tërësisht nga mëlçia e bebes.
Grumbullimi i bilirubinës shoqërohet me shfaqjen e verdhëzës tek i porsalinduri.
• Ikteri fiziologjik shfaqet nga dita e dytë-e tretë e jetës dhe asnjëherë para orës së 36-të të jetës.
• Verdhëza fiziologjike zhduket nga dita e tretë-e tetë e jetës.
• Bilirubina që gjejmë me shumicë në këtë rast, është ajo e tërthortë; nëse bilirubina kalon disa kufij të caktuar, ajo mund të bëhet e dëmshme për organizmin.
• Një verdhëz që zgjat mbi 2 javë edhe kur nuk është shumë e theksuar, është arsye të forta për t’iu drejtuar mjekut.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





