DURRËS, 1 gusht 2014 – Ulet numri i studentëve që do të ndjekin studimet e larta në universitetet publike në vitin akademik 2014-2015. Pas mbledhjes së propozimeve të bëra nga fakultetet dhe rishikimi i kërkesave të tregut të punës për profesionistë të rinj, Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka vendosur të shkurtojë kuotat e pranimeve të reja për programet të para të studimeve (trevjeçare) dhe ato të dyta, por ka “kripur” tarifat për disa nga degët e masterit (kështu në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit ata që duan të vazhdojnë më tej për navigacion e peshkim detar, infermieri të përgjithshme, mami dhe fizioterapi do t’u duhet të paguajnë 233 966 lekë ose rreth 1 700 euro!).
Shkurtimet
Nga 29 390 kuota pranimi të miratuara një vit më parë për të gjitha universitetet shtetërore, në propozimet e bëra Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS) ka kërkuar që studimet në këto programe t’i ndjekin 19 166 kandidatë, 10 224 të drejta studimi më pak se sa pranimet e realizuara nga universitetet gjatë vitit të shkuar akademik.
Sipas zyrtarëve të MAS pakësimi i kuotave ka ardhur si rezultat i kërkesave të bëra nga vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse, bazuar në analizën e programeve me performancë të ulët të vitit akademik që lamë pas, si dhe nga të dhënat e mbledhura mbi numrin e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2013-2014, si edhe nga gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në strukturat publike të arsimit të lartë rreth verifikimit të kritereve të ligjshmërisë (shih më poshtë tekstin e plotë të njoftimit zyrtar të MAS-it).
Sa shtrenjtë tek “A. Moisiu”
Duke u hedhur një sy tarifave të pranimit në universitetin “Aleksandër Moisu” të Durrësit (UAMD), vërehet që tarifa për trevjeçarin është 25 mijë lekë.
Por për ciklin e dytë ka përshkallëzim të tarifave, që shkojnë nga 29 680 lekë deri në rreth tetëfishimin me… 233 916 lekë.
Është e paqartë mënyra e përcaktimit të tarifave.
Po të nisemi nga kërkesat, tarifën më të larta, 233 916 lekë, nuk duhet t’i kishte navigacioni e peshkimi detar, apo vetëm infermieria e përgjithshme, mamia dhe fizioterapia, por edhe administrimi i biznesit, menaxhim-marketingu, financë-kontabiliteti, bankë-financë, menaxhim hoteli-restoranti, etj. që e kanë 86 374 lekë; apo mësuesia me 111 778 lekë; drejtësia me 146 232 lekë.
Shumë të lartë, 203 690 lekë, e ka matematika kur nuk do askush t shkojë, apo informatika.
“Dyrrah”-u ka përgatitur pesë tabela me kuotat dhe tarifat e pranimit në UAMD (shih faksimilet poshtë)
DOKUMENTI / Propozimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë
Në vijim të informimit të publikut rreth procesit të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë (IAL) publik në vend, po ju njohim si më poshtë me propozimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve.
MAS-i vijon përkushtimin për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, orientimin e studentëve drejt zgjedhjeve më të mira e të frytshme për ta dhe vendin si dhe për transparencë maksimale në vendimmarrje.
Në këtë frymë, në vijim të procesit të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë dhe në përputhje me kërkesat e universiteteve, MAS-i propozon numrin e kuotave dhe tarifave që synojnë rritjen e cilësisë, pa cenuar mundësitë e të rinjve për t’u arsimuar.
Numri total i kuotave të përgjithshme të pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2014–2015, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, në programet e studimeve jo-universitare profesionale dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, që sugjerohet të akordohen këtë vit akademik janë 19,726.
a) Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të parë, në programet e studimeve jouniversitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimit të ciklit të dytë 19 166
b) Kuota për program të dytë studimi 200
c) Kuota për transferim studimesh 300
ç) Kuota për shtetasit e huaj 60
Këtu përfshihen dhe:
d) Kuotat për shqiptarët nga trojet jashtë kufijve të vendit 600
e) Kuotat për të verbrit 15
f) Kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët 20
g) Kuotat për invalidët paraplegjikë e tetraplegjikë 15
j) Kuotat për jetimët 15
Në kuotat e propozuara janë marrë parasysh këta faktorë:
(i) kërkesat e vetë universiteteve bazuar në kapacitetet e tyre pritëse
(ii) (ii) analiza e programeve me tregues të ulët nga viti akademik 2013-14.
(iii) (iii) analiza e programeve me numër të ulët të studentëve të regjistruar në vitin akademik 2013-2014 si edhe
(iv) (iv) gjetjet paraprake të inspektimeve të kryera në IAL në kuadër të verifikimit të kritereve të ligjshmërisë (VKL).
Tarifat e studimit që rrjedhin nga implementimi i këtij projektvendimi, do të kenë një efektet financiar prej rreth 512 milionë lekë për IAL-të, çka krahasuar me vitin e kaluar akademik, parashikon një rritje prej 75.2 milionë lekë më shumë për IAL-të të ardhura këto nga rritja e tarifës mesatare vjetore të studimit.
Këto të ardhura do të rrisin mundësinë e IAL-ve publike, për rritjen e kapaciteteve mësimdhënëse dhe kërkimore shkencore, pajisjen me laboratorë kërkimorë, dhe për investimin e individëve në arsimin e lartë publik.
Tarifat janë përcaktuar duke u bazuar në propozimet dhe kërkesat e vetë IAL-ve për tarifat e studimit, por jo gjithmonë është pranuar tarifa e propozuar duke parashikuar tarifa më të ulëta se propozimet e ardhura për të mos rritur në mënyrë të ndjeshme në disa raste tarifat krahasuar me vjet.
Marrja parasysh e kërkesave dhe propozimeve të tarifave nga IAL-të është në respekt dhe të autonomisë universitare për të garantuar një mësimdhënie cilësorë dhe standarde më të mira në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.
Në këtë projektvendim MAS-i ka miratuar një rritje të moderuar të tarifave por në një nivel më të ulët se kërkesat e vetë IAL-ve për rritje të tarifave të studimit.
Përjashtimi nga tarifa e shkollimit për disa kategori te veçanta do të ketë me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) të veçantë.
Pranimi i studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik bëhet për ata që arrijnë rezultate kaluese në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore.
Edhe për vitin akademik 2014-2015, pranimi i studentëve në Institucionet e Arsimit të Lartë publik, bëhet nëpërmjet parimit meritë-preferencë dhe do të kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3).
Pasi është plotësuar formulari A2 kryhet procesi i regjistrimit dhe shpallen fituesit. Regjistrimi i fituesve bëhet në dy faza.
Faza e parë është regjistrimi online, ndërsa në fazën e dytë bëhet regjistrimi me dokumentacion fizikisht në sekretaritë e IAL-ve.
Kuotat, që mbeten të parealizuara, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit vetëm në ato programe studimi, ku pranimi nuk cenon parimin e meritës. Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3, sipas parapëlqimeve të kandidatëve mbështetur në VKM-në përkatëse.
Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët kanë aplikuar me formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve.
Shënim: Qortimi gjuhësor është i “www.durreslajm.com”
KLIKO poshtë lidhjen për tabelën e kuotave për të gjitha universitetet publike:
http://www.arsimi.gov.al/files/userfiles/matura/2014/Tabela_Kuota_(2).pdf
/përgatiti: th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





