Tiranë, 1 gusht 2014 – Vazhdojnë të dalin të tjera detaje nga vjedhja e bujshme e Bankës së Shqipërisë, protagonist i së cilës është Ardian Bitraj.
Ky i fundit duket se e ka denoncuar vetë vjedhjen, i frikësuar nga auditi që do të bëhej në bankë dhe nuk ka qenë kjo e fundit që ka konstatuar supervjedhjen e pazakontë.
News 24, duke iu referuar burimeve të Prokurorisë thotë Bitraj kishte frikë se do të zbulohej nga auditi dhe për këtë arsye ka rrëfyer vjedhjen.
Por, ky version është pak i besueshëm nga prokuroria.
Ndërkaq 6 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të arrestuar orët e fundit, janë marrë në pyetje. Krahas 5 punonjësve të bankës të arrestuar mbrëmjen e së enjtes, sot u arrestua Bashkim Xhilaga, përgjegjës i arkës në veprim dhe stok.
Për vjedhjen e vlerës së 713 milionë lekëve, sikundër u bë e ditur nga auditi i Bankës së Shqipërisë, është vënë nën akuzën e moskallëzimit të krimit dhe nipi i Ardian Bitrajt, Klevis Bejtaj, i cili dyshohet se ka qene në dijeni të veprimtarisë kriminale të të afërmit të tij.
Bordi mbikëqyrës shkarkoi nga dy detyra dy drejtorë te bankës, Dorian Çollaku drejtor i Emisionit të Monedhës si dhe Eduard Sinani, drejtor i departamentit të sigurisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





