Tiranë, 1 gusht 2014 – Kombëtarja Shqiptare humbet një nga titullarët bazë për ndeshjen e parë eliminatore të Euro 2016 kundër Portugalisë. Mesfushori Alban Meha i dëmtuar në menisk gjatë miqësores kundër Maccabi Haifa di t’i nënshtrohet operacionit dhe rikuperimi kërkon disa javë pushim për lojtarin shqiptar. Në këtë përfundim dolën mjekët pas rezonancës magnetike dhe në këtë mënyrë, ai ka nevojë për një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
Vetë lojtari i Paderborn ka deklaruar për mediat gjermane se kjo është zgjidhja e vetme edhe pse më e vështira. Për një dëmtim të tillë, koha e rekuperimit parashikohet deri në 8 javë, që do të thotë se 28-vjeçari do të rikthehet në fushë gjatë fundit të Shtatorit ose fillimit të muajit Tetor. Takimin e parë eliminartor, Shqipëria do ta luajë në datën 7 Shtator kundër Portugalisë në “Stadium Municipal” të Aveiros, ndërsa në 11 Tetor, kuqezinjtë presin Danimarkën në shtëpi.
3 ditë më pas, ekipi i De Biasit do të udhëtojë drejt Beogradit për sfidën e tretë të grupit kundër Serbisë. Alban Meha konsiderohet si një titullarët e padiskutueshëm në skemat e teknikut italian, i cili duhet të rimodelojë mesfushën për sfidën e Portugalisë.
Lëndimi i Mehës do t’i prishë punë edhe Kombëtares së Shqipërisë, e cila në muajin shtator nis eliminatoret për “Euro 2016″ që do të mbahet në Francë. Meha, në vitin 2012, ka debutuar për Kombëtaren shqiptare dhe deri më tani ka regjistruar gjashtë paraqitje dhe ka shënuar dy gola. Njihet si specialist i goditjeve të lira. Për këtë është ndër më të njohurit në Gjermani. Trajneri Xhani De Biazi deklaroi për “Panorama Sport” se Meha është një humbje e madhe për ndeshjen e parë kundër Portugalisë në transfertë më 7 shtator dhe se është i shqetësuar për gjendjen e repartit të mesfushës. “U përpoqa të flas vetë me Albanin, por sot (dje) ishte e pamundur. Thjesht asistentët e mi kanë diskutuar me përgatitësin atletik të Paderbornit dhe jemi në dijeni të situatës. Jemi të pafat. Kemi humbur të vetmin lojtar në kombëtare që mund të bëjë gol nga 25 metra dhe e kemi humbur para ndeshjes kundër Portugalisë… Më keq nuk mund të bëhej, duke qenë se edhe Rama me Roshin e Bashën nuk po kalojnë momente të mira, por gjithsesi do të përpiqemi të paraqitemi në mënyrë dinjitoze dhe të kompensojmë një mungesë kaq të rëndësishme”, deklaroi trajneri.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





