Itali, 1 gusht 2014 – Zhgënjimet e mëdha te Ferrari këtë sezon vazhdojnë të kenë kosto te kokat e mëdha drejtuese. Pas Stefano Domenicalit, është radha e kryeinxhinierit të motorëve, Luca Marmorini, që detyrohet të marrë valixhet për t’u larguar nga Maranello pas shumë vitesh. Qarkullonte prej disa javësh lajmi për lamtumirën e italianit, por mesa duket skuadra kokëkuqe ka preferuar ta kalojë gjithçka në heshtje. Në vend të Marmorinit, përgjegjësinë për sektorin e motorëve te Ferrari, që këtej e tutje do ta ketë Lorenzo Sassi, i cili ndodhet në Maranello që prej vitit 2006.
Ndërkohë bosi i skuadrës, Marco Mattiacci, duke iu referuar startit të vështirë të këtij sezoni, tha se te Ferrari duhet bërë një ndërhyrje me themel për të rikthyer rezultatet e shumëpritura.
"Nevojitet përmirësim në 360 gradë. Nuk është vetëm njësia motorike, aerodinamika apo shasia, por e gjithë skuadra dhe e gjithë makina që duhen ribërë nga fillimi. Pasi kemi identifikuar pikat e dobëta dhe të forta, duhet të tregohemi të kujdesshëm në vendimet që do të marrim. Një garë e vetme, qoftë kjo pozitive apo negative, nuk duhet të na e ndryshojë idenë se ku duam të arrijmë", u shpreh ai.
Mattiacci nënvizoi në vijim se pavarësisht dobësive që janë identifikuar te njëvendëshja e këtij sezoni, puna te Ferrari nuk duhet të fokusohet vetëm te garat e momentit, por duhet parë më larg drejt sezonit të ardhshëm.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





