Tiranë, 1 gusht 2014  – Në emër të Partisë Demokratike, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo publikoi sot një raport, të shoqëruar me shpjegime, për të vërtetuar atë që PD e cilëson si megavjedhjen e shekullit, marrëveshjen e qeverisë me CEZ. 

Bozdo tha se marrëveshja me CEZ është një krim financiar, pasi qeveria po i fal CEZ-it plot 3 miliardë dollarë. Bozdo tha se opozita është e vendosur për të zbardhur çdo detaj të marrëveshjes, e cila sipas tij, nëpërkëmb shtetin shqiptar dhe përben një krim të pastër. 

“Mazhoranca vendosi të fshinte të drejtën legjitime të shtetit shqiptar të kërkonte 3 mld dollarë dëm shkaktuar shtetit shqiptar në një proces të ndershëm të arbitrazhit ndërkombëtar. U bëjmë thirrje institucioneve garante të kushtetues të bllokojnë këtë akt të paprecedent, këtë megaskandal. PD do të ndërmarrë në vijim të gjitha hapat e nevojshme, së pari për të denoncuar këtë vepër të turpshme dhe së dyti për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë ata që e nxitën dhe shkaktuan këtë dëm kolosal.”-deklaroi ai. 

Bozdo publikoi një raport të hartuar nga një kompani ndërkombëtare, e cila sipas tij ofron prova të pakundërshtueshme për investimet e munguara nga kompania CEZ. 

“Raporti fakton se kompania CEZ ka investuar diçka më shumë se 4% të asaj që duhet të investonte për të arritur performancën e duhur teknike të kompanisë. Raporti thotë që CEZ investoi në rrjetin e shpërndarjes vetëm 52% të investimeve të aprovuara nga ERE. Në vitin 2011, këto investime ranë në 37%, duke u katandisur në vetëm 7% në vitin 2012. Ishte marrë vendimi strategjik i kësaj kompanie për tu tërhequr nga Shqipëria që para disa vitesh. Sipas dokumenteve është provuar që në shumë raste CEZ ka falsifikuar si investime shpenzimet në mirëmbajtje dhe riparime. Raporti konkludon se perfomaca teknike ishte e pamundur të arrihej për sa kohë që CEZ-i në dy vitet e fundit kishte braktisur investimet në rrjetin teknik shqiptar.”– u shpreh Bozdo. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/