Durrës, 1 gusht 2014 – Policia bashkiake e Durrësit ka bllokuar 4 subjekte private dhe u ka sekuestruar atyre çadrat dhe shezlonget, pasi rezultonin debitorë në zyrën e tatimeve pranë pushtetit lokal.

Aksioni i sotëm i efektivëve të policisë bashkiake kishte për qëllim lirimin e hapësirave publike të rezervuara për pushuesit.

Aksioni është përqendruar kryesisht në sektorin Apollonia, ku bashkia e qytetit ka rezervuar një hapësirë publike, por që në të vërtetë ishte zënë nga privatët.

Policia Bashkiake zgjodhi për të ndërhyrë në ditën e parë të muajit gusht në plazhin e madh të qytetit bregdetar, ndonëse sezoni turistik ka dy muaj që ka nisur.

Sipas policisë bashkiake, hapësira e rërës do të jetë e ndarë në raportin 80% për privatin dhe 20% për publikun.

Gjithsesi, efekti i kësaj ndërhyrje të policisë bashkiake pritet të shihet në ditët në vijim.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/