Tiranë, 1 gusht 2014 – Ministria e Drejtësisë ka menduar të ulë çmimin e tokës truall në të gjithë vendin. Diku duke e përgjysmuar, diku me afro 30 përqind, apo diku me një përqindje edhe me të vogël, harta e çmimeve ka ndryshuar totalisht.
Veçanërisht në zonat e bregdetit, nga një krahasim i hartave shihet se si qytetet, por dhe fshatrat bregdetare kanë ndryshuar çmimin e tokës.
Kështu në Durrës, çmimi i tokës truall është ulur më shumë se 40 përqind. Vjet, çmimi për qytetin ishte 30.000 lekë/metri katrorë. Sot çmimi varion nga 3.119 lekë-19.336 lekë metri katrorë. Çmimi është ulur edhe për zonat e Kavajës, Lezhës, Shkodrës etj.
Në Sarandë qytet, çmimi i tokës vitin e kaluar ishte 12.193 lekë/metri katror. Ndërsa me hartën e re, çmimi është bërë 10.777 lekë/metri katrorë.
Sakaq, çmimi ka ndryshuar dhe për zonat përreth bregdetit. Borshi, Lukova, Shën Vasili etj., kishin një çmim fiks prej 3.102 lekë/metri katror. Sot ky çmim është ulur në 2.560 lekë/metri katrorë.
Por, e njëjta linjë duket se nuk ndjekur me përpikmëri edhe për Vlorën. Fshatrat e bregut të Vlorës si Palasa, Qeparo, Vuno etj., kishin një çmim fiks prej 3.102 lekë/metri katrorë. Sot, këto zona kanë çmime të ndryshme; Palasa me 2.135 lekë/metri katrorë, kurse Qeparo, Vuno etj., kanë një çmim pak më të lartë 3.560 lekë/metri katrorë.
Ndërsa në Himarë dhe Orikum çmimet si në zonat e tjera kanë pësuar ulje. Në Orikum, çmimi i tokës truall ishte 7.044 lekë/metri katrorë ndërsa në Himarë ishte 4.799 lekë metri katrorë. Sot, çmimi në Orikum është 5.530 lekë metri katrorë ndërsa në Himarë është 4.350 lekë metri katrorë.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave gjatë një periudhe intensive pune ka arritur të përfundojë hartën e vlerës së tokës në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, miratuar dje me vendimin e qeverisë.
Harta e re e vlerës së pronës realizon transparencën e plotë të çmimeve të tregut. Për nxjerrjen e vlerave të pronës është përdorur metoda e përpunimit të të dhënave bazuar në vendimin e qeverisë për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë.
Grupi i punës i ngritur në AKKP për përpunimin e të dhënave, është bazuar në kontratat e shitjeve në ZVRPP të regjistruara për një periudhë 1-vjeçare për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme, sipas zonave kadastrale të çdo qarku. AKKP, me miratimin në qeveri të hartës së vlerës të pronave shënon dhe fillimin e procedurave për rishikimin e metodologjisë së vlerës së pronës me qëllim përafrimin e saj vlera të qarkullimit civil të pronave në territor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





