Tiranë, 31 korrik 2014  – Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë punonjës të Bankës së Shqipërisë, të cilët mendohen të kenë lidhje me super vjedhjen e këtij institucioni, ndërkohë që një punonjës është shpallur në kërkim. 

Sipas informacioneve, mësohet se në pranga mbrëmjen e sotme kanë rënë Petrit Ramohitaj, përgjegjës arke, Liljana Tusha, specialiste e Arkës në Veprim, Lavdim Cani, specialist i Arkës së Stokut, Myzejene Belba, specialiste, Dhimtër Davidi, vëzhgues i kamerave të sigurisë. Ndërkohë, nuk dihet emri i personit të shpallur në kërkim. Arrestimi i punonjësve, u bë me urdhër gjykate. Mbrëmjen e djeshme policia ka bërë të mundur dhe arrestimin e Klevis Bejtja, nipi i Ardian Bitraj, i akuzuari kryesor për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë. Bejtja është arrestuar për veprën penale “Moskallëzim të krimit”.

Urdhëra e ndalimit janë nxjerrë për shtetasit: 
Petrit Ramohitaj, me detyre përgjegjës i arkës ne veprim, ne Departamentin e Emisionit ne Bankën e Shqipërisë, 
Liljana Tusha, me detyre specialiste e arkës ne veprim, pranë Deprtamentin e Emisionit ne Bankën e Shqipërisë, 
Lavdim Cani, me detyre specialist i arkës stok(tranzit) pranë Deprtamentin e Emisionit ne Bankën e Shqipërisë, 
Myzejen Belba, me detyre specialiste e arkës stok(tranzit) pranë Deprtamentin e Emisionit ne Bankën e Shqipërisë, 
Dhimiter Davidi, me detyre vëzhgues-operator, pranë departamentit ne sigurimit dhe mbrojtjes ne Bankën e Shqipërisë. 

Përgjegjësitë për secilin: 
1. Detyra e punonjësve të arkës në veprim është të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikqyrës- rezulton nga hetimi se ky rakordim nuk është kryer si duhet. Dyshohet se ky rakordim nuk është kryer për një kohë të gjatë, gjë që ka sjellë vjedhjen e një shumë tejet të madhe parash nga Departamenti i Emisionit 
2. Detyra e punonjësve të arkës stok është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Gjithashtu, për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës (përgjegjësi, i cili ishte A. Bitraj dhe dy specialistë). Këto tre çelësa janë mbajtur të gjithë nga i pandehuri A. Bitraj, i cili më pas ka kryer veprimtarinë kriminale të vjedhjes. Po ashtu, specialistët e arkës stok kanë pasur për detyrë që, në përfundim të ditës së punës, këto çelësa t’i vendosnin në një kasafortë. Por ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme, këto çelësa janë mbajtur nga i pandehuri A. Bitraj. 
3. Detyra e vëzhguesit-operator është që të mbikqyrë kamerat e sigurisë dhe të raportojë për çdo anomali. Nga ana e Prokurorisë së Tiranës është kryer kqyrja e kamerave të sigurisë, nga të cilat rezulton se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e shtetasit A. Bitraj, i cili mbushte thasë plastikë me kartmonedha në magazinën e stokut dhe nuk e ka raportuar. I pandehuri kryesor, A. Bitraj, pasi i merrte para me thashët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/