Tiranë, 26 korrik 2014 – Punonjësit e kazinosë në rrugën "Siri Kodra" në të cilën mendohet se punonjësi i Bankës së Shqipërisë, Ardian Bitraj ka luajtur bixhoz lekët që kishte vjedhur në institucionin ku punonte, tregojnë se si e kanë njohur punonjësin e bankës.
"Kishte më shumë se dy vjet që vinte në kazinonë tonë. Ai luante shumë bixhoz, linte lekë të madh duke luajtur. Kishte raste që hidhte 10 milionë lekë të vjetra dhe i humbiste. Është futur edhe 20 milionë borxh, por i lante lojë pas loje. Ai vinte vetëm në kazinonë tonë, sepse ngaqë e njihnim, ne e linim që të luante edhe pa lekë. Sa herë që humbiste, na thoshte se do t'i sillte lekët herën tjetër. Deri tani na ka borxh afro 45 milionë lekë", bëjnë me dije punonjësit e kazinosë ku Bitraj mendohet se ka lënë një pjesë të madhe të parave që ka vjedhur në institucionin e Bankës së Shqipërisë, shkruan "Gazeta Shqiptare".
Ndërkohë, nga grupi hetimor bëhet me dije se punonjësja tjetër e bankës, Mimoza Bruzia, deri tani nuk rezulton se ka gisht në vjedhjen e afro 600 milionë lekëve në bankë, por faji i saj është se ka mbajtur të fshehtë për një kohë të gjatë vjedhjen e parave, ndonëse e kishte kuptuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





