25 korrik 2014 – Pas lajmit për një çiklist holandez që kish mundur mrekullisht t’i shpëtonte vdekjes, madje dy herë me të njëjtën linjë, vjen një tjetër histori e ngjashme. Babai dhe motra e një punonjëse të Malaysia Airlines ishin për një kohë të gjatë të shokuar prej lajmeve që vinin dhe që bënin fjalë për goditjen me rakete dhe rrëzimin e avionit Boeing MH17, ndërsa ai ndodhej mbi hapësirën ukrainase.

Nina Cordero, e motra, tregon për Fox 5 Vegas, se ajo mori një lajm prej të atit se në avionin që ishte rrezuar duhej të ishte edhe motra e tyre Wani. Më pas ajo tregon se për orë të tëra ishte munduar, por më kot që të merrte ndonjë lajm për fatin e të motrës, por telefonatat e saj në drejtim të celularit të së motrës nuk merrnin asnjë përgjigje.

Pas shumë përpjekjesh dhe orësh, më në fund ajo merr përgjigjen e të motrës, në të cilën ajo shkruante: “Ja lashë vendin tim një tjetër pasagjeri. O Zot, unë pothuajse e preka atë avion”.

Pas kësaj ajo tregon se e mori përsëri në celular të motrën dhe nga ana tjetër dëgjoi zërin e saj: “Hello”. Mësohet se për një koincidence të jashtëzakonshme, Wani kishte ndryshuar planet e saj duke fluturuar për në Paris, ku do të përgatitej për një tjetër takim pune në Londër.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/