DURRËS, 24 korrik 2014 –  Thuajse dyfishohet “dajaku” në familje në qarkun e Durrësit: nëse në 6 mujorin e parë të vitit 2013 u evidentuan 182 raste, gjatë periudhës janar-qershor 2014 pati gjithsej 329 të tilla (1,8 herë më shumë).

Sipas drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë, në 180 ditë nga janari në qershor 2014 forcat e rendit kanë evidentuar gjithsej 329 raste të dhunës në familje me 328 autorë, nga të cilët 24 janë arrestuar në flagrancë, 5 të shpallur në kërkim dhe 299 ndiqen në gjendje të lirë.

Nga këto raste, janë nisur 249 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe 80 raste janë referuar materialet ne Prokurori për vepra penale.

Gjatë 6-mujorit të parë 2013 janë evidentuar 182 raste të dhunës në familje, por uniformat blu këtë shtim prej 1.8 herë ia atribuojnë detyrimit për evidentim dhe ndjekje procedurale të çdo rasti që paraqitet në polici, pavarësisht nivelit të dëmtimeve.

Madje, nga 10 584 telefonata në sallën operative, që janë bërë në gjysmëvitin e parë të vitit në vazhdim, 244 të tilla (2,3 për qind) ishin thirrje të dëshpëruara SOS për t’i shpëtuar “drurit”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/