Tiranë, 23 korrik 2014 – Deputeti socialist, Tom Doshi, ka kritikuar sërish punën e policisë gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohet projektligji për Policinë e Shtetit. Doshi është ndalur në vrasjen e biznesmenit Artan Santo, duke kritikuar policët e ndodhur në vendngjarje, të cilët sipas tij kishin as radio për të komunikuar me njëri-tjetrin.
“Rasti i Artan Santos, polici nuk kishte radio. Punonjësi i policisë nuk ka bërë asgjë. Çfarë përgjegjësie ka policia, kur nuk ka radio?”. Përgjegjësi e kujt është që nuk kishte radio? Përgjegjësi e kujt është që nuk u ngritën postblloqet?,është shprehur Doshi.
Deputeti socialist ka kritikuar direkt ministrin e Brendshëm, duke u shprehur se “kanë mbajtur në polici për 24 orë, njerëz për teka të Tahirit”, një fenomen që sipas tij ka ndodhur edhe me paraardhësin e Tahirit, ish-ministrin demokrat Flamur Noka.
“Arrestohen njerëz sipas qejfit të ministrit. Kanë mbajtur në polici për 24 orë, njerëz për teka të Tahirit. Kjo gjë ka ndodhur dhe me ministrin e mëparshëm. Ndalohen njerëz që nuk kanë dokumente me vete. 3 mijë makina te Rezervat e Shtetit, se i teket policit. Shoqërohen në polici shitësit e qumështit”,është shprehur Doshi.
Doshi, duke u ndalur tek prezantimi i arritjeve të 300 ditëve të Policisë së Shtetit, iu drejtua ministrit Tahiri me dozë ironie.
“Ne, Ministrin tonë nuk mund ta biem këtu, sepse është shumë i zënë, por meqë ka pasur 300-ditëshin e suksesit të tij sot unë do të bëj një pyetje: Përgjegjësia e kujt është – gjithmonë do përqëndrohem tek vrasja e biznesmenit Santo – që nuk kishte radio dhe nuk arritën postblloqet, deri atje në Bubs, në Fushë Krujë, t’i dalin para? Përgjegjësia e kujt është në këtë rast që policia nuk ka radio, s’ka benzinë, s’ka makinë? Përgjegjësia e kujt është? Kë do të ruajë ai nëse s’ka radio, s’ka makinë, s’ka benzinë, s’ka motorë? Ç’është kjo mburrje e Ministrit të Rendit që del e thotë “kam bërë namin”?!”,- tha deputeti socialist.
Duke kaluar në një çështje tjetër, Doshi vërejti: “Tani ne e dimë se Lazarati duhej t’u goditte, kushdo mund ta bënte, gjithkush mund ta bënte, nuk është sukses i Ministrit të Rendit, por i atyre policëve që shkuan dhe sakrifkuan atje. Unë jam gjithmonë në mbrojtje të policisë. Unë njoh shumë policë, ka pasur raste kur u kam dhënë edhe benzinë, se kanë mbetur në rrugë. Pra, çfarë suksesi dhe çfarë mbrojtje më ofron mua ky polici, nëse ai nuk ka benzinë, nuk ka radio për të kërkuar ndihmë? Përgjegjësia e kujt është kjo?”– ngriti pyetjen ai.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





