· Pronarët e listës, për të cilët janë bërë shënimet “Rikonfimuar nga ZVRPP-ja” dhe “Konflikt pronësie”, do të kompensohen, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar
DURRËS, 23 korrik 2014 – Qeveria nxori, më 22 korrik 2014, dy vendime mbi shpronësimin e pronarëve durrsakë dhe kavajas, që preken nga rrugët dytësore në segmentet rrugore Plepa-Kavajë-Rrogozhinë dhe By-pass, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, duke akorduar përkatësisht 16 073 831 lekë (mbi 115 600 euro) për 35 929 metra katrorë dhe 173 753 243 lekë (1 250 000 euro) për sipërfaqe që nuk specifikohen në vendimin e 22 korrikut por që janë në një aneks.
Likuidimi i pronarëve do të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar.
Pronarët e listës, për të cilët është bërë shënimi “Rikonfimuar nga ZVRPP-ja”, do të kompensohen, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e listës, për të cilët është bërë shënimi “Konflikt pronësie”, do të kompensohen, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi do të fillojë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’i vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, do të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Kavajë do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
Në rastin e vendimit të dytë thuhet se Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit do të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë do të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





