Itali, 20 korrik 2014 – Dy hajdutë shqiptarë janë prangosur nga karabinierët në Veneto, afër Venecias, pasi akuzohen si autorë të vjedhjes së një vile në periferi të Breshias, natën mes 7 dhe 8 korrikut (ne foton kryesore).
Prangosja e dy shqiptarëve hajdutë është bërë ndërsa ata kishin shkuar me pushime në Venecia. Karabinierët kanë rënë në gjurmët e tyre pasi kanë gjetur në një qytezë afër Bergamos, një automjet të vjedhur në një vilë në Breshia, vetëm 24 orë pas vjedhjes së sipërpërmendur.
Në automjet janë gjetur disa armë gjahu. Sipas policisë, dy shqiptarët e prangosur, identiteti i të cilëve nuk është bërë ende publik, nuk kanë vepruar të vetëm. Karabinierët po kërkojnë edhe 3 bashkëpunëtorë të tyre.
Ndërkohë, mbi dy shqiptarët e arrestuar, veç akuzës së vjedhjes rëndon edhe ajo e vrasjes pa paramendim. Pronari i vilës që ata vodhën, Pietro Raccagni, gjatë tentativës për të ndjekur hajdutët është rrëzuar dhe ka përplasur kokën. Ai humbi jetën në spital, 11 ditë pas ngjarjes.
Pas vdekjes së tij, gruaja dhe fëmijët e tij vendosën të dhuronin organet e të ndjerit duke u dhënë kështu mundësinë disa të sëmurëve të qëndrojnë në jetë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





