Bolivi, 20 korrik 2014 – Në Santa Cruz të Bolivisë është vrarë një ish pjesëtar i njësitit famëkeq të kriminelit të luftës Zharko Razhnatoviq Arkan. Goran Popovic, 39 vjeçar, u vra derisa po qëndronte në një internet kafe. Ai u qëllua nga një person i panjohur, me tre plumba, në kokë dhe në trup, i cili iku pastaj nga vendi i ngjarjes.
Vrasësi i Popovicit aktin brutal të vrasjes e kreu në prezencë të shumë njerëzve dhe në bashkëpunim me një person tjetër, i cili po e priste jashtë me një motoçikletë. Pas kryerjes së aktit ata u zhdukën me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, raportojnë mediat serbe.
Goran Popovic ishte i shpallur në kërkim nga Interpoli për shkak të trafikut të kokainës. Në dokumentet e gjetura ai ishte me emrin e rremë David Eterovic Melgar. Mediet kroate, ndërkaq, thonë se Goran Popovic ishte shtetas i Kroacisë, i lindur në Donji Llapac. Ai ka qenë pjesëtar i njësitit “Tigrat” të Arkanit, si dhe i njësisë speciale të policisë serbe “Beretat e kuqe”.
Duket se në Amerikën jugore po vazhdon operacioni i eliminimit të kriminelëve ballkanikë. Brenda vetëm një jave ky ishte likuidimi i tretë i narkotrafikantëve serbë në Bolivi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





