9 korrik 2014 – Që Gjermania mund të fitonte kundër Brazilit, kjo është diçka që mund të parashikohet pa shumë guxim, por që të gjesh rezultatin e saktë dhe për më tepër fitoren 7-1 të pancerave, për këtë duhet të jesh magjistar.
Disfata e djemve të Scolarit, më e rënda për brazilianët në një Kupë Bote, u shndërrua në triumf për njeriun ndoshta më me fat në planet, të paktën për datën 8 Korrik. Bastevënësi kurajoz arriti bingon e madhe të jetës duke vendosur 20 Dollarë për suksesin 7-1 të Gjermanisë plus gol të Sami Khediras. Me koeficentin 2319, shuma totale e parave që futi në xhep në fund të takimit ky tifoz me fat është vërtet e konsiderueshme, diçka më tepër se 46 mijë Dollarë. Që të vendosësh një bast është çështje llogarie, guximi, por fati mbi të gjitha. Nëse ky tifoz bastin e tij e vendosi me mendjen e kthjellët dhe me sytë hapur, nga Brazili vjen një tjetër çudi e madhe.
Pak ditë më parë, Anna Guerra, një artiste pyeti bashkëshortin teksa flinte se cila skuadër do të fitonte dhe përgjigja e tij me sytë mbyllur ishte Gjermania. 44-vjeçarja vazhdoi lojën me shaka dhe e pyeti sërish për rezultatin. 7-1 i tha burri ndërkohë që vazhdonte gjumin dhe si tifoze e Brazilit, gruaja vendosi bastin, por jo ndonjë shumë të madhe sepse as që mund ta perceptonte një rezultat të tillë. Si përfundim, e paimagjinueshmja ndodhi dhe falë parashikimit nga bashkëshorti i përgjumur, Anna Guerra fitoi shumën simbolike, gati 100 Dollarë. Edhe në Angli janë regjistruar raste tifozësh që nga të çmendur janë parë më pas si gjeni me bastet e tyre të guximshme. Të paktën 4 persona kanë gjetur rezultatin e saktë dhe njëri prej tyre nga 5 Paund për 7-1 e gjermanëve, sot është 2500 Paund më i pasur.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





