Itali, 9 korrik 2014 – Denisi, emigrant në Itali që në fillim të viteve 90-të, është pronar i një kioske, që shet gazeta e kinkaleri në lagjen “Campo di Marte”, të Firences. Që nga nëntori i vitit 2013 deri në mëngjesin e 7 korrikut, kioska e tij është vjedhur plot 4 herë. Ai u bë pronari i kësaj kioske gazetash në vitin 2010 dhe e ktheu në një biznes të suksesshëm me të cilin mbante familjen. Denisi e hap kioskën në orën 5 e 30 të mëngjesit dhe e mbyll natën vonë, për të bërë sa më shumë xhiro, por ja që hajdutët nuk e lënë të ngrejë kokë.

Përgjithësisht hajdutët kanë vjedhur pak gjëra, por ama pas çdo vjedhjeje shqiptari është detyruar të riparojë bravën, xhamin e thyer apo grilën e shqyer. Gjithsesi, Denisi edhe pas kësaj vjedhje do vazhdojë betejën e përditshme të mbijetesës në kioskën e vet, që është shndërruar në poligon qitjeje për hajdutët e zonës.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/