Brazil, 9 korrik 2014 – Trajneri i Holandës, Luis Van Gaal lë shumë dyshime mbi formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Argjentinës në sfidën që do të përcaktojë finalisten e dytë të “Brazil 2014”. 62-vjeçari e la të hapur rikthimin titullar të De Jong, por shtoi gjithashtu se Van Persi nuk është në formën e tij më të mirë.

“De Jong ka zhvilluar një seancë prove, por duhet të presim deri në momentin e fundit. Gjithçka varet nga forca e vullnetit të tij. Nëse do të të jetë pozitive, atëherë do të jetë një mrekulli. Edhe Vlaar është stërvitur, por duhet të presim për të kuptuar sesi do të reagojë. Van Persie dhe Janmmat kanë patur proleme me stomakun. Nuk e di nëse Van Persi do të jetë në 100% të formës.”

Pyetja që i mundon më shumë tifozët holandezë është: Si do ta ndalin tulipanët Lionel Messin? Van Gaal e ka një plan për t’i befasuar argjentinasit.

“Gjysmëfinalja nuk do të jetë mes Holandës dhe Messit, por Holandë – Argjentinë. Ne kemi planin tonë për të fituar. Nuk është rastësi që Messi është përzgjedhur disa herë lojtari më i mirë në botë. Sigurisht nuk ka mundur ta tregojë këtë me kombëtaren, por ai ka shumë dëshirë për të arritur objektivin më të lartë me Argjentinën. Ne do të përpiqemi që ta ndalim”.

Përsa i përket titullarit të portës, Van Gaal është i vendosur: Cillesen mbetet i paprekshëm.

“Jam shumë i kënaqur me Jasper Cillessen. Mendoj se Krul është më i mirë vetëm për të pritur 11-metërshat. Për këtë arsye e hodha në fushë ndaj Kosta Rikës”.

Ballafaqimi që do të zhvillohet në Arena de Sao Paulo pritet të sjellë një duel jashtëzakonisht interesant mes dy skuadrave që pëlqejnë lojën sulmuese.

Por, kush do të shkojë përpara, kjo mbetet të shihet. Këto janë formacionet e mundshme të skuadrave:

Argjentinë (4-3-2-1): Romero; Zabaleta, Garay, Demichelis, Rojo; Mascherano, Biglia, Perez;  Messi, Lavezzi; Higuain.

Holandë (5-3-2): Cillessen; Janmaat, de Vrij, Martins Indi, Vlaar, Blind; Sneijder, de Guzman, Wijnaldum; Robben, van Persie.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/