Brazil, 9 korrik 2014 – Trajneri i Gjermanisë Joakim Lëv ka festu ar me të madhe triumfin e tij duke shkruar historinë në Kupën e Botës. Teksa shkatërroi 7-1 Brazilin, ai shpreh emocionet dhe recetat fituese të tij. 

Urime Joakim Lëv! E prisnit këtë rezultat?
Isha i bindur për fitore, por jo kaq të thellë. E rëndësishme ishte që arritëm të thyenim emocionet dhe euforinë e jashtëzakonshme të brazilianëve me forcën e karakterit, qetësinë dhe fuqinë e futbollit tonë. Brazili u trondit pas golit të parë. Goditja e këndit ishte perfekte dhe e patëm shumë të thjeshtë për të dalë në lojën tonë. Luajtëm shumë mirë. E dinim që nëse do kundërsulmonim shpejt dhe u bënim presion të shpejtë, do shkatërrohej mbrojtja. 

Organizatorët turpërohen. E mirëkuptoni dhimbjen e brazilianëve?
Këtë gjendje e kemi përjetuar vetë në 2006-n. Arrij ta kuptoj presionin e organizatorëve. Më vjen shumë keq edhe për Skolarin.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë 5 gola në pjesën e parë. Si e shpjegoni këtë hegjemoni?
U shënuan 5 gola në 18 minuta dhe Brazili nuk po dinte ç’të bënte më. Ne kemi zhvilluar një superndeshje me ofensivë të zgjuar dhe një defensivë të hekurt. Të gjithë lojtarët e kryen perfekt detyrën e tyre dhe nga nesër nis misioni përfundimtar për ne. Kjo fitore historike duhet shijuar, por jo tepruar. Misioni ynë ende s’ka përfunduar.

Keni ndonjë preferencë, Holandën apo Argjentinën?
Pak rëndësi ka për mua dhe Gjermaninë time. Po i lë të më surprizojnë. Normalisht, gëzimi dhe euforia është tejet e lartë për finale.

Për çudi, nuk u ndikuat aspak nga klima…
Temperaturat luajnë rol patjetër. Kemi zhvilluar disa ndeshje në kushte mjaft të vështira klimatike, aq sa për pak na merrej fryma. Lojtarët kanë shkuar gjithnjë në limitet e rezistencës.

Klose theu rekordin e Ronaldos. Gjermania në finalen e 8-të të Botërorit. Shumë rekorde për 90 minuta…
Klosen e përgëzova. Isha i bindur që do e thyente rekordin. Ai është një “vrasës” dhe punëtor i jashtëzakonshëm. Bëri diferencën duke nxjerrë jashtë loje 3 mbrojtës. Për statistikat më informon presidenti Nirsbah. Jam krenar për këto rezultate dhe këto rekorde. Të gjithë lojtarët bënë diferencën. Dua t’i komplimentoj të gjithë.

E gjithë bota ju përulet. A do jetë i tillë ky fund?
Këta lojtarë kanë bërë të pamundurën. Kanë pasur kundër gjithçka të mundshme. Kanë sakrifikuar gjithçka dhe uroj shumë për një fund të lumtur. Duhet të kemi kujdes dhe deri të dielën të kemi bërë gati edhe planin e triumfit.

Por Low nuk u bie trumbetave të fitores, sepse nuk është në stilin e tij. Gjermania nuk kishte shënuar kurrë më parë 5 gola në pjesën e parë gjatë historisë së saj, ndërsa Selecao kishte 42 ndeshje që nuk humbiste më shtëpi. Joakim Low as që do ta kishte menduar që tabela elektronike në stadiumin Mineirao të Belo Horiontes do të tregonte shifrat 7-1 pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, ndërsa 5-0 vetëm në minutën e 29 të pjesës së parë. Tashmë Maracanazzo nuk ekziston më, tashmë është koha e Mineirazzos. Por Low nuk u bie trumbetave të fitores, sepse nuk është në stilin e tij.

“E kuptoj shokun psikologjik që pësuan brazilianët, e kam provuar edhe unë në 2006, kur u mposhtëm në Dortmund nga Italia. Më vjen shumë keq për Felipaon. Kishin mbi shpinë presionin e 200 milionë tifozëve. Nuk duhet të ekzaltohemi, festa mund të zgjasë vetëm pak orë, sepse duhet të jemi të përqendruar te finalja.”

Heronjtë e Belo Horizontes i gëzohen triumfit pa u shfrenuar. Mesut Ozil shprehet se ndihet krenar që është pjesë e pancerave, ndërsa Peer Mertesacker premton maksimumin në finalen e madhe të Marakanas. Për Lukas Podolskin ishte një fitore shumë emocionuese, e cila do të merrte vlera vetëm në rast suksesi në finale.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/