Tiranë, 9 korrik 2014 – Thellohet më tej përplasja mes dy institucioneve në sistemin e drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pas vendimit të KLD-së për të rrëzuar kërkesën e ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni.
Nënkryetari i KLD-së Elvis Cefa, ka komentuar sot deklaratat e djeshme të ministrit Nasip Naço, ndërsa i quan ato një sulm të papreçedentë që i bëhet KLD-së.
“Mbetëm të shokuar nga deklaratat thellësisht politike të Ministrit të Drejtësisë. Unë e prisja një reagim të tillë të tij, pas paaftësisë së ministrit i duhej një justifikim para eprorëve. Justifikim më të mirë se sulmi nuk ka, por ky ishte një sulm i paprecedent, na quajti ‘Sude’”, tha Cefa.
Duke u ndalur tek kërkesa e ministrit Naço, për shkarkimin nga detyra të gjykatësit të Apelit Gjin Gjoni, kërkesë e cila u rrëzua nga KLD, Cefa u shpreh se, “Ata që janë të paaftë të provojnë fajësinë, kanë aftësi të shpifin pa skrupuj”.
Cefa potencoi më tej idenë për t’ju drejtuar institucioneve ndërkombëtare në lidhje me këtë rast. “Duke parë se reforma në drejtësi nuk sjell asnjë të re, vetëm shkatërron institucionet kyçe kemi vendosur që këto shqetësime tja bëjmë me dije edhe partnerëve ndërkombëtarë”.
Dje në një konferencë për mediat, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço e cilësoi skandaloz dhe qesharak vendimin e KLD-së për gjyqtarin Gjin Gjoni, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit, për fshehje të pasurisë, pasi u denoncua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





