Brazil, 9 korrik 2014 – Nuk mund të ketë traumë më të madhe për një komb që identitetin e mban çmendurisht të lidhur pas futbollit. Humbja e tmerrshme e brazilianëve e shkaktuar nga gjermanët është një kapitull i errët në historinë e këtij sporti të bukur dhe që nuk mund të kalojë pa një reagim të fortë nga qytetarja numër një e vendit.
Për të qetësuar turmat e revoltuara të tifozëve nga ky zhgënjim i jashtëzakonshëm, presidentja e Brazilit u ul menjëherë para kompjuterit në përfundim të takimit për t’ju drejtuar kombit me fjalët: “Si çdo brazilian, jam shumë, shumë e trishtuar për këtë humbje. Ndiej keqardhje për të gjithë ne, për tifozët dhe për lojtarët, por nuk duhet t’ia lejojmë vetes të rrëzohemi”, shkruan Dilma Rousseff në Twitter, para se ta mbyllë me vargjet e një kënge të njohur për bashkëatdhetarët e saj: “Brazil ngrihu, pastroje pluhurin dhe vazhdo përpara”.
Që në startin e Botërorit, brazilianët ishin përgatitur moralisht të festonin titullin e gjashtë kampion dhe një zhgënjim i tillë mund të ketë pasoja të rënda për presidenten Rousseff. Deri në zgjedhjet e ardhshme në tetor të këtij viti, ajo duhet të rifitojë popullaritetin që i ka rënë në pikiatë, fillimisht nga protestat për shpenzimet marramendëse të Kupës së Botës e tani nga trishtimi i një vendi të tërë që nuk mund të gëzonte për titullin kampion.
Endrra e 200 milionë njerëzve për të shuar kujtimet e këqija nga Botërori 1950 u shkatërrua nga një kujtim edhe më i hidhur. Disfata më e thellë në 100 vjet histori, pavarësisht apelit të presidentes Rouseff, nuk mundi t’i shpëtonte akteve të dhunshme. Në Rio de Janeiro, turma tifozësh të irrituar u derdhën në plazhin e famshëm të Copacabanas duke plaçkitur këdo që i dilte përpara, ndërsa në Sao Paulo pati konfrontime me forcat e policisë dhe zjarrvënie në autobusë dhe kosha mbeturinash.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





