Brazil, 9 korrik 2014 – Të shpjegosh të pashpjegueshmen. Luiz Felipe Skolari nuk arrin të sqarojë një humbje të tillë, gjithsesi merr përgjegjësitë për disfatën. Trajneri i Brazilit mendon se skuadra nuk arriti të kontrollojë si duhet lojën pas pësimit të golit të parë dhe pikërisht në këtë moment, Gjermania shfrytëzoi të gjithë potencialin e saj.

Cili është përgjegjësi për këtë humbje?
Unë jam. Faji është i gjithë imi. Mund të vendosni ta shpërndani përgjegjësinë, por personi që vendosi mbi gjithçka jam vetë unë. Zgjodha formacionin, rreshtimin taktik, çdo gjë.

Si e shpjegoni këtë humbje?
Mund të them se pas pësimit të golit të parë, skuadra e humbi disi përqendrimin. Gjermania është një ekip i shkëlqyer, me përgatitje të lartë fizike dhe taktike dhe ditën se si të përfitojnë në ato pak minuta. U mjaftuan që të shkojnë në avantazh 4-0. Ishte katastrofike për ne. Edhe Gjermania e ka të vështirë ta shpjegojë se si arriti ta bëjë një gjë të tillë, pasi për pak minuta u vulos edhe fati i takimit.

Keni ndonjë mesazh për tifozët brazilianë?
Po. I lutem të gjithëve që të na falin, pasi nuk i çuam dot në finalen e Kupës së Botës dhe njëkohësisht dua t’i falënderoj për mbështetjen e zjarrtë që na kanë dhënë. Jemi munduar të japim gjithmonë maksimumin në fushën e lojës, por ndonjëherë kjo nuk mjafton. Tentuam ta çojmë deri në fund misionin, por fatkeqësisht nuk ndodhi. Gjithsesi, do luftojmë për të fituar vendin e tretë. Kemi ende diçka për të cilën luftojmë.

Mund të jetë kjo humbje një goditje e rëndë për futbollin brazilian?
Ne duhet ta lëmë pas krahëve dhe të mësojmë prej kësaj disfate. Është e domosdoshme që të mos i humbasim shpresat dhe besimin në forcën tonë. Të rinjtë, tifozët, futbollistët dhe drejtuesit e këtij sporti duhet të mendojnë se si ta rrisin cilësinë. Kurrsesi nuk duhet ta marrin si goditje të rëndë. Do ishte në dëmin tonë një gjë e tillë. Ne jemi një vend që gjithmonë kemi dhuruar futboll cilësor dhe do vazhdojmë të dhurojmë…

E mendoni largimin?
Jo. Po mendoj për ndeshjen e ditës së shtunë. Ky grup lojtarësh është investim për të ardhmen. Prej 23 futbollistëve, 15 prej tyre do jenë në Kupën e Botës 2018.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/