· Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit e Shqipërisë dhe Organizata Botërore e Turizmit organizojnë, më 20 tetor 2014, në Tiranë, një konferencë ndërkombëtare mbi “Menaxhimin e sezonalitetit në turizëm”
DURRËS, 5 korrik 2014 – Operatorët e industrisë së pushimeve në Durrës, destinacionit më të madh rekreativ në Shqipëri, kanë pritur me interes një konferencë ndërkombëtare që do të mbahet në vjeshtë në kryeqytet, e cila do të përqendrohet në zbutjen e efekteve të karakterit stinor të turizmit.
Luhatjet sezonale të numrit të vizitorëve, ndryshe sezonaliteti, është një tipar tipik i një numri të madh të destinacionesh turistike në të gjithë botën, që rezulton si për shkaqe natyrore, sidomos meteorologjike, ashtu dhe për shkaqe institucionale, sikurse janë festat fetare, pushimet shkollore dhe ditët e pushimit të festave kombëtare, njofton Programi Rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit i Kombeve të Bashkuara UNWTO.
Ndonëse zakonisht konsiderohet sfidë ekonomike, sezonaliteti mund të ketë impakte të konsiderueshme mjedisore dhe socio-kulturore që e kanë burimin në periudhat e pikut dhe rënies së flukseve të vizitorëve.
Prandaj është një çështje komplekse, e cila ndërlikohet edhe më shume dhe për faktin se impaktet ekonomike lidhen zakonisht me periudhën e ngarkesës minimale ndërkohë që problemet mjedisore dhe social-kulturore kanë të bëjnë, si rregull, me periudhat e fluksit të ulët.
Duke pasur parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin e sezonalitetit në turizëm, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit e Shqipërisë dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) organizojnë, më 20 tetor 2014, në Tiranë, një konferencë ndërkombëtare mbi “Menaxhimin e sezonalitetit në turizëm”.
Pjesëmarrësit do të mblidhen për të ndarë dhe për të diskutuar përvojat dhe strategjitë që mundësojnë organeve shtetërore dhe komunitetit të biznesit për zgjidhjen e pasojave të sezonalitetit për të inkurajuar zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm dhe krijimin e vendeve të punës.
Në kuadër të konferencës do të mbahet një tryezë në nivel ministrash mbi “Rolin e qeverive në zgjidhjen e sezonalitetit në turizëm”, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në politikat dhe praktikat më të mira të qeverive të Evropës Qendrore dhe Juglindore për këtë çështje tejet të rëndësishme, njofton Programi Rajonal për Evropën i Organizatës Botërore të Turizmit i Kombeve të Bashkuara UNWTO.
Info
Shqipëria nënshkroi në mars 2014 në Berlin një marrëveshje bashkëpunimi dyvjeçare me Organizatën Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO) për të përmirësuar aftësinë konkurruese të sektorit shqiptar të turizmit.
Sipas marrëveshjes, UNWTO-ja do të japë ndihmë në tri fusha kryesore: marketing dhe promovim, përmirësimin e kapaciteteve dhe menaxhimin e destinacioneve turistike, si edhe lehtësimin e procedurave për turistët.
Shqipëria është anëtare e UNWTO-së, që përbëhet nga 162 vende dhe më shumë se 400 anëtarë që përfaqësojnë sektorin privat, institucionet arsimore, shoqatat e turizmit dhe autoritetet vendore të turizmit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





