Tiranë, 5 korrik 2014 – Shtohen me shpejtësi pistat, dyshimet e reja dhe enigmat për vrasjen e profilit të lartë shoqëror, bosit të mediave, bankave dhe ndërtimeve, Artan Santo. Ndërsa Policia e Shtetit po gërmon në biografinë e dy xhenerikëve të Fushë-Krujës, për të hedhur dritë mbi vrasjen e bujshme, prokuroria po ndjek pista të tjera, për të rënë në gjurmët e killerave të mafies dhe porositësve të vrasjes së biznesmenit. Ndërsa policisë duket se i ka mbetur ora në rrugicat e Fushë-Krujës dhe tek tre skafandra të gjetura në një magazinë, hetimet e prokurorisë janë shtrirë në fusha të tjera, që lidhen drejtpërdrejtë ose tërthorazi me veprimtarinë e Artan Santos. Po kush janë pistat e hetimit dhe prapaskenat e panjohura të vrasjes së Artan Santos, në zemrën politike, ekonomike dhe diplomatike të Shqipërisë? Gazeta “SOT” në datën 18/06/2014, pra disa ditë para vrasjes, ka publikuar artikullin me titull; “40 agjentë të shërbimeve të huaja në Tiranë për kartelin e kokainës, në Shqipëri qarkullojnë mbi 8 miliardë USD nga tregu i drogës”. Në këtë artikull flitej për shqetësimin dhe alarmin e ndërkombëtarëve për qarkullimin e parave të drogës në Shqipëri si dhe për angazhimin e agjentura të huaja për gjurmimin e xhepave ku do të përfundonin paratë. Ç’është e vërteta, disa ditë më vonë, burimet saktësuan se në Tiranë kishin zbarkuar rreth 25 agjentë të huaj.  

Zbarkimi i agjentëve dhe pista e parave   

Fuqia në rritje financiare, organizative, vepruese dhe vrastare e mafies dhe e karteleve të drogës në Shqipëri, në raport me përgjigjen e mekët dhe të mpirë të strukturave shtetërore, ka alarmuar si asnjëherë më parë shërbimet partnere dhe strukturat e huaja të sigurisë. Ndonëse mbi 1 mijë trupa policore, ndërmorën aksionin më masiv dhe të rrezikshëm në historinë e pluralizmit, duke shkatërruar kartelet e drogës dhe shembur “republikën e kanabisit” në Lazarat, Shqipëria është kthyer në një oaz dhe strehë për baronët e drogës dhe paratë e pista, ku javët e fundit po pret edhe kokainën e karteleve të Kolumbisë. Mbi 8 miliardë USD, sa dy buxhete shteti të marrë së bashku, qarkullojnë në duart e baronëve të drogës në Shqipëri, para të prodhuara nga trafiku i drogës, gjobat mafioze dhe veprimtaritë e tjera të paligjshme. Qarkullimi i një pjesë të këtyre parave në banka, është një nga pistat e prokurorisë për zbardhjen e vrasjes së Santos.  

Bllokimi i kokainës në Mal të Zi   

Në datën 09/06/2014, gazeta “SOT”, ka botuar artikullin me titull “Të fshehtat e aksionit të kokainës, pse shërbimet partnere urdhëruan bllokimin e drogës në Mal të Zi dhe mosbesimi ndaj policisë shqiptare”. Shërbimet partnere dhe agjentët e huaj urdhëruan bllokimin e kokainës, për shkak të mungesës së besimit dhe informacioneve se kokaina do të zhdukej sapo të futej në Shqipëri. Plani fillestar i operacionit ishte që kokaina të shkonte nën survejim deri në destinacionin përfundimtar, me qëllim për të zbardhur të gjithë pjesën e kartelit të drogës bashkë me lidhjet me strukturat e shtetit. Shërbimet e huaja e kanë pasur nën kontroll dhe e kanë ndjekur ngarkesën që nga nisja deri në momentin e bllokimit. Por aksioni ka marrë një kthesë të papritur pak para se ngarkesa të hynte në Shqipëri. Ndërsa gjithçka po shkonte sipas planit dhe parashikimeve, shërbimet kanë urdhëruar doganën dhe autoritetet malazeze të bllokonin kontenierët. Sipas burimeve, sekuestrimi ka ardhur pas informacioneve se kokaina, pasi të hynte në Shqipëri, do të zhdukej në laboratorët e fshehtë.   

Dëshmia e kolumbianit për një bankier   

Cili është bankieri që do të kontaktonte shtetasi nga Kolumbia, Cesar Augusto Pelaez Luiz? Ky shtetas ishte pritësi i kokainës së Malit të Zi. Emri i Cesar Triana, është i lidhur me trafikun e 250 kilogramë kokainë të pastër e sekuestruar në portin e Tivarit në Mal të Zi. Ai u kap nga policia, para se të largohej. Kolumbiani, gjatë dëshmisë në hetuesi, ka pohuar se kishte folur disa herë në telefon me një person në Spanjë, i cili kishte njohje me një bankier në Tiranë, dhe prej bankës së tij do të kryhej transaksioni i shumës së parave prej 1 milion euro në këmbim të kokainës. Pra, një bankë është përfshirë në transaksionet e parave të drogës. Disa ditë më pas, vritet një bankier. Por, misteri nuk është zgjidhur. Kolumbiani ka treguar se spanjolli nuk i ka treguar se nga kush bankë do të kryhej transferta e parave. Duhet dëshmia e spanjollit për të zbardhur të vërtetën. Ndërkaq, edhe mediat malazeze kanë folur rreth implikimit të një banke të rëndësishme në Shqipëri, e cila do të transferonte paratë e kokainës në një bankë tjetër. Gazetat e Tivarit kanë pohuar se kokaina kishte si destinacion Shqipërinë, ndërsa paratë do të shkëmbeheshin me anë të bankave.   

Dyshimet për aktivitetin e bankës   

Ka një diskordancë të madhe mes kapitalit të Bankës Credins, kredive dhe transaksioneve të kësaj banke. Banka Credins ka si kapital 39 milionë euro. Ndërkaq, kjo bankë i ka dhënë një kompanie mediatike, ku është aksionere edhe vajza e Santos, 8.8 mln euro borxh. Hendeku dhe diskordanca është e paimagjinueshme, çka krijon shumë dyshime mbi aktivitetin e bankës. Por, kjo është vetëm një nga kreditë e kësaj banke. Kjo bankë i ka dhënë kredi një kompanie ku vajzat e aksionerëve janë aksionere. Po atë ditë që është dhënë kredia, aksionarja shet aksionet tek ortakët dhe merr paratë që sapo kishin dalë nga banka. Përgjegjësi për këtë situatë ka një emër. Ai është Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili ka për detyrë të kontrollojë aktivitetin e bankave të nivelit të dytë. Fullani duhet të përgjigjet se çfarë masash ka marrë banka qendrore pas këtyre transaksioneve?   

Investimi në Kosovë   

Artan Santo po kryente një investim shumë të rëndësishëm në Prishtinë. Bëhet fjalë për një kullë prej 44-katëshe, e cila do jetë qendër rezidenciale dhe tregtare. Kulla më e lartë në rajon duhej të përfundonte sivjet, por kompania thotë se do i duhen edhe të paktën katër vite. Dyshimet lindin tek vlera e kullës gjigande. Sipas burimeve, deri më tani janë investuar mbi 50 milionë euro vetëm për disa kate. Por vlera për të gjithë kompleksin ishte parashikuar rreth 300 milionë euro. Pra, një bankë me kapital 30 milionë euro, bëhet pjesë e një investimi prej 300 milionë eurosh. Në këto kushte, hetimet e prokurorisë janë fokusuar edhe në Prishtinë. Maje, ka dyshime se dy killerat mund të kenë ardhur nga Kosova, së bashku me mjetin e tyre “Suzuki-V-Storm”.  

Garancia e 75 milionë euro  

Të gjitha pistat duket se kanë një emërues të përbashkët. Kështu, një ndër pistat ku po hetohet,  lidhet me përfshirjen e bankës “Credins” në transaksionet e shitjes së rafinerisë së naftës “ARMO” te një kompani nga Azerbajxhani pak kohë më parë. Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit në datën 3 gusht 2012 ka arritur që nëpërmjet një vendimi të gjykatës së Tiranës, ka arritur të sekuestrojë një shumë prej 75 milionë euro, në bankën Credins që administrohej nga Artan Santo. Kjo masë sekuestro është vendosur për shkak të një garancie që një biznesmen nafte kishte vendosur në këtë bankë, gjatë kohës kur ka arritur të marrë në Azerbajxhan kredinë për blerjen e kompanisë së naftës ARMO. Pas kësaj, në lojë ka hyrë zyra e përmbarimit e cila ka lëshuar vendimet për bllokimin e sasisë prej 75 milion euro në llogaritë e bankës “Credins”. Në këtë kohë menjëherë ka reaguar biznesmeni Artan Santo, i cili ka arritur të gjejë marrëveshjen me përmbarimin dhe me përfaqësuesit e Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, duke u tërhequr nga garancia, gjë që solli dhe konfiskimin e rafinerisë së naftës ARMO, nga banka Azerbajxhanase.

/gazeta “Sot”/