Durrës, 5 korrik 2014 – 4 persona kanë përfunduar në pranga, pas plagosjes në një lokal me muzikë live, të regjistruar në orët e para të mëngjesit të së premtes, në zonën e plazhit në Durrës.
Burime policore bëjnë të ditur se kanë arrestuar në flagrancë katër shtetas, të implikuar në të shtënat me armë zjarri, në një lokal në sektorin Apollonia, Durrës.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit Pëllumb Tuda, 45 vjeç, pronar i lokalit ku u regjistrua plagosja, Besnik Ruçi, 34 vjeç, roje në këtë lokal si dhe shtetasit Ivan Tuda, 36 vjeç dhe Shpëtim Mema, 38 vjeç, nga Shijaku.
Nga hetimet paraprake të kryera nga policia ka rezultuar se rreth orës 02.00 të datës 4 korrik, 38 vjeçari Shpëtim Mema ka kërcënuar me armë rojen e lokalit muzikë live, Besnik Rucin dhe pronarin e lokalit Pellumb Tudën. Por kërcënimi ka shkuar edhe më tej, pasi Mema ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtyre dy shtetasve.
Në këto kushte pronari i lokalit, Pëllumb Tuda ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Shpëtim Memës. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur roja e lokalit, Besnik Ruci, i cili ndodhet i arrestuar në spitalin e Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të marra në këmbë.
Pas konfliktit të armatosur, palët e përfshira në të kanë dashur të mbulojnë gjithçka për të evituar hetimin e policisë. Për këtë arsye Pëllumb Tuda i ka dhënë pistoletën të afërmit të tij, Ivan Tudës me qëllim fshehjen e saj. Ndërkohë Shpëtim Mema është larguar menjëherë nga vendngjarja duke marrë me vete automjetin e tij, ku dukeshin qartë shenjat e lëna nga konflikti me armë zjarri.
Burime policore sqarojnë se automjeti tip Benz, ngjyrë e zezë, me targa AZ 144 HY, xhami i pasëm i të cilit ishte thyer ndërkohë që kishte edhe një vrimë plumbi në pjesën e bagazhit, është gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e Memës.
Nga ana tjetër, gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e pronarit të lokalit me muzikë live, Pëllumb Tuda, policia ka gjetur dhe sekuestruar 88 copë fishekë të kalibrit 9 mm.
Mbi katër shtetasit e ndaluar rëndojnë 4 vepra penale, “Vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, ”Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetasve i kanë kaluar prokurorisë së Durrësit për ndjekje të mëtejshme.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





