Tiranë, 5 korrik 2014 – Edukimi në vazhdim rrezikon vendin e punës për 300 mjekë të cilët nuk kanë marrë asnjë kredit. Kredite 0 do të thotë që licensa e tyre është e pezulluar.
Mjekët që nuk kanë ndjekur procesin e edukimit në vazhdim dhe nuk kanë plotësuar numrin e krediteve do t’u pezullohet licensa dhe vendi i tyre i punës do të shpallet vakant. Vendimi është marrë nga Urdhri i Mjekut dhe Ministria e Shëndetësisë.
Ata duhet të plotësojnë 150 kreditet për t’u ripozicionuar në vendin e tyre të punës. Kategoritë në këtë rast janë mjekë, farmacistë dhe stomatologë.
“Janë 318 mjekë të cilët kanë 0 kredite. Janë 1953 mjekë që kanë nga 1 deri në 100 kredite dhe janë 2596 mjekë që kanë mbi 100 kredite. Nëqoftëse deri në përmbyllje të vitit do të ketë akoma me 0 kredite, paraprakisht bordi i akreditimit dhe ricertifikimit për këta mjekë mendon t’ju pezullojë licensa”, tha Abazaj.
Kreu i urdhërit të mjekëve Din Abazaj thotë se procesi i edukimit në vazhdim tashmë është i njohur dhe kusht për bluzat e bardha por pavarësisht kësaj, një pjesë e konsiderueshme e mjekëve tregojnë neglizhencë duke rrezikuar seriozisht licensën e tyre.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





