·        Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashki z. Besnik Kërtusha: Gjatë rikonstruksionit të rrugës “Milto Kulja” në Plazh, segmenti rruga “Qafëbotë” dhe vazhdimi deri te rruga “Pavarësia”, komuniteti që jeton në rrugën “Niko Nishku” ka paraqitur në “qeverinë” vendore kërkesa të vazhdueshme për realizimin e rikonstruksionit të saj 

·        Gjendja teknike e rrugës është mjaft e kompromentuar, ka gropa, pa shkarkime të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza; ka trafik të madh automjetesh, që cenojnë cilësinë teknike të rrugës së porsashtruar

·        Reshjet e shumta të shiut, ujërat e bardha sipërfaqësore, nuk janë të disiplinuara dhe shkarkojnë në rrugë

·        Shkarkimet e ujërave të zeza të familjarëve janë me gropa septike dhe në kohën e verës janë vatër të ndotjes mjedisore nga epidemitë dhe mushkonjat

 

DURRËS, 4 korrik 2014 –  Më në fund ankesat e banorëve çamë të një rruge në Plazh nuk bien në vesh të shurdhër, por merren në konsideratë nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, i cili do t’u propozojë “baballarëve” të qytetit miratimin e projektvendimit për një fond me vlerë 6 351 938 lekë në rikonstruksionin e rrugës “Niko Nishku” në Plazh.

Ky fond do të merret nga fondi rezervë i bashkisë Durrës për vitin 2014.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashki z. Besnik Kërtusha shpjegon në relacionin e tij se gjatë rikonstruksionit të rrugës “Milto Kulja” në Plazh, segmenti rruga “Qafë Botë” dhe vazhdimi deri te rruga “Pavarësia”, komuniteti që jeton në rrugën “Niko Nishku” ka paraqitur në “qeverinë” vendore kërkesa të vazhdueshme për realizimin e rikonstruksionit të saj.

Z. Kërtusha thotë se rruga “Niko Nishku” është vazhdimi djathtas i rrugës së re “Milto Kulja” dhe ka nevojë urgjente për ndërhyrje.

Inxhinier Kërtusha argumenton se gjendja teknike e rrugës është mjaft e kompromentuar, ka gropa, pa shkarkime të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza; ka trafik të madh automjetesh, që cenojnë cilësinë teknike të rrugës së porsashtruar.

Po ashtu reshjet e shumta të shiut, ujërat e bardha sipërfaqësore, nuk janë të disiplinuara dhe shkarkojnë në rrugën e saposhtruar, duke shkaktuar dëme në shtresat e saj.

Çfarë është e rëndësishme, shkarkimet e ujërave të zeza të familjarëve janë me gropa septike dhe në kohën e verës janë vatër të ndotjes mjedisore nga epidemitë dhe mushkonjat.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/