4 korrik 2014“I kujtoni në vitet ’50 raportimet për aktivitete të pazakonta në qiell? Ishim ne”. Ky është tuiteri i CIA-s, që pas më shumë se 60 vitesh zbardh misterin për ngjarjet e çuditshme të raportuara në kontinentin e vjetër 6 dekada më parë.

Objektet e shndritshme që ishin parë në disa raste në Europë, sidomos mbi Norvegji, ishin eksperimente të kryera nga CIA me avionë U-2.

Me postimin e sotëm në Twitter, CIA i jep kështu fund hamendësimeve të bëra shumë vite më parë mbi prezencën e trupave jashtëqiellorë.

Në ato vite, Agjencia e Inteligjencës Amerikane eksperimentonte avionë të rinj spiunë, që fluturonin mbi 18 mijë metra, një kuotë e paarritshme në atë periudhë.

Për këtë arsye, pilotët e avionëve të udhëtarëve, që shihnin mbi kokat e tyre objekte të shndritshme nuk dinin se çfarë shpjegimi t’u jepnin.

Eksperimentet kryheshin në atë kohë në kuadër të Luftës së Ftohtë. Nga ky Twitter që zbërtheu misterin 60 vjeçar më të zhgënjyer kanë mbetur ata që besojnë në UFO-t.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/