Tiranë, 4 korrik 2014 – Presidenti Bujar Nishani, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka kthyer prapa ligjin për Forcat e Armatosura. Në argumentimin e tij, ky ligj prek kompetencat e presidentit dhe si i tillë i rikthehet Kuvendit për rishikim.
“Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron të gjitha funksionet e kompetencat që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, te cilat burojnë nga Kushtetuta dhe parashikohen shprehimisht nga ligjet që nuk vijnë në kundërshtim me të. Ai është zotërues i të drejtës së komandimit dhe drejtimit të të gjithë veprimtarisë të Forcave të Armatosura në kohë paqe dhe në kohë lufte. Në kohë paqeje, Presidenti i Republikës e ushtron komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, të cilët janë përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre të drejtimit përpara Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.
Në këtë këndvështrim kushtetues, çdo iniciativë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet detyrimisht të konsultohen paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të marrin dakordësinë e tij. Në të kundërt, këto veprime do të rrezikonin zinxhirin e komandim/kontrollit, kaq vendimtar për drejtimin në fushën e mbrojtjes së vendit.
Pra, ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohe paqeje Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, nuk duhet të anashkalojnë funksion e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga Komandanti i Përgjithshëm”, thotë Nishani në argumentimin e tij.
“Gjykoj se Forcat e Armatosura nuk janë strukturë në varësi të ekzekutivit, gjyqësorit apo legjislativit. Kushtetuta (në Pjesën 15) përcakton misionin, dhe në vija të përgjithshme tregon zinxhirin e komandim kontrollit të Forcave të Armatosura, i delegon kompetencat e drejtimit të Komandantit të Përgjithshëm në kohë paqeje, Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, por gjithmonë nën komandimin e tij si eprori më i lartë në hierarkinë e Pushteteve dhe Autoriteteve të Komandimit dhe Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura.
Si konkluzion, kërkoj mirëkuptimin tuaj në rishqyrtimin e ligjit 59/2014 pasi bie ndesh me nenet 168 pika 2, 169 pika 1 dhe pika 4 të Kushtetutës”, e mbyll Nishani argumentimin e tij.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





