Durrës, 4 korrik 2014 – Dy persona kanë mbetur të plagosur në një lokal muzikë live, në zonën e plazhit në Durrës, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas policisë, dy shtetasit P.T., 45 vjeç dhe B.R., 34 vjeç, të dy banues në Durrës janë plagosur në këmbë rreth orës 02.55 të ditës së sotme.

Mësohet se dy të plagosurit ndodheshin në një nga lokalet e lagjes nr.13, kur janë konfliktuar për motive të dobëta me persona të tjerë që ndodheshin në lokal.

Konflikti verbal ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Sipas policisë, dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital dhe fatmirësisht sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia tregohet mjaft e rezervuar në dhënien e informacioneve për këtë ngjarje duke mos zbuluar më shumë mbi identitetin e autorëve të sulmit dhe motivet e kësaj ngjarjeje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/