DURRËS, 4 korrik 2014 – Për prof. Nasho Jorgaqin, studiues dhe biograf i Fan Nolit, busti i këtij të fundit “do ta kishte vendin në një nga sheshet e qytetit të Durrësit”.
Në një intervistë dhënë të përditshmes Shekulli albanologu Nasho Jorgaqi, ndër të tjera, njohësi më i mirë i jetës dhe veprës së personalitetit të shumëfishtë të kulturës, religjionit, politikës shqiptare Fan Stilian Noli, thotë se “çdo vend i Shqipërisë ku Noli ka shkelur dhe ka bërë një aktivitet mund ta kujtonte me një bust”.
Shkrimtari, skenaristi dhe studiuesi Jorgaqi argumenton se “busti në Durrës i takon Nolit, jo vetëm se atje mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe, por kur u zgjodh si peshkop, ishte i Tiranës dhe i Durrësit. Gjatë viteve 1920 Noli një pjesë të jetës e kaloi në Durrës, pavarësisht se rezidenca e tij ishte në Tiranë”.
Duke e parë në një spektër më të gjerë, Mjeshtri i Madh i Punës, që ka një dashuri të veçantë për qytetin bregdetar, ku kaloi disa kohë për të shkruar një skenar filmi, mendon se “një bust për Nolin nuk ka përse të ngrihet brenda oborrit të një kishe, qoftë edhe kisha e Shën Spiridonit ku Noli ka qenë klerik, apo aty ku ka qenë vendi ku banonte. Por një figurë si e Nolit që, për fat të këtij qyteti dhe të tij jetoi dhe punoi në Durrës, mendoj se ai bust do ta kishte vendin në një nga sheshet e qytetit të Durrësit”.
Sikurse njoftoi “Dyrrah”-u bashkia e Durrësit është mjaftuar ta nderojë Nolin, duke i propozuar “parlamentit” të qytetit që një rrugë, e cila mban emrin “Spiro Puteci”, të quhet “Fan Noli”!
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





