Tiranë, 4 korrik 2014 – Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka uruar nëpërmjet një mesazhi Presidentin amerikan Barack Obama me rastin e 238 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

"Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë e madhe që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell Juve dhe popullit mik amerikan përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të përzemërta! Dëshiroj të nënvizoj me kënaqësi lidhjet e forta njerëzore dhe miqësore, të pasura dhe jashtëzakonisht dinamike, në të cilat bazohen marrëdhëniet mbi njëshekullore shqiptaro-amerikane, si edhe t’ju ripohoj angazhimin tim e të vendit tim për vazhdimësinë dhe pasurimin e mëtejshëm të tyre.

Përfitoj nga rasti, Zoti President, t’ju siguroj se vendi im do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në mbështetje të paqes e stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se do të jetë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tanë, në Afganistan e kudo ku kërkohet përballja me sfidat e sigurisë dhe paqes, mbrojtjes së vlerave të lirisë e demokracisë.

Ne vlerësojmë lart dhe mbetemi të përkushtuar në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mbështetjen e madhe amerikane në anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj integrimit evropian të Shqipërisë. Duke ju uruar edhe një herë festime të gëzueshme, si edhe duke ju ripohuar ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, theksohet në mesazhin e urimit të Presidenti Nishani.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/